Ekonomi

Kreditë me probleme vijojnë tendencat rënëse/ Në mars arritën në 4.64%, niveli më i ulët në 10 vite

0

Ecuria e kredive me probleme gjatë muajit mars të vitit aktual ishte ndjeshëm më e mirë se pritshmëritë. Sipas të dhënave nga “Banka e Shqipërisë”, në muajin e tretë të këtij viti huatë me probleme ndaj totalit arritën në 4.64% ndërkohë që në muajin shkurt ishin në nivelin e 4.69%.

Ndërkaq, nuk mund të themi të njëjtën gjë për treguesin e huave me probleme neto nga provigjonet ndaj kapitalit rregullator i cili shënoi një rritje të lehtë mujore duke u regjistruar në 5.67% të totalit, nga 5.58% që ishte  në shkurt. Edhe huatë me probleme neto nga provigjonet ndaj kapitalit aksioner kanë ndjekur një trajektore rritëse duke arritur në 5.34% të totalit në mars, kundrejt 5.18% që regjistruan një muaj më parë.

Ndërkohë, gjatë vitit të kaluar niveli i këtyre huave është luhatur në intervalin e mbi 5% duke arritur një maksimum prej 5.3% në muajin gusht. Por, cilësia e portofolit të kredive është përmirësuar gjatë fundit të vitit 2023 dhe ka vijuar edhe në tremujorin e parë të këtij viti duke rrëzuar pritshmëritë fillestare sipas të cilave inflacioni dhe rritja në nivele rekord e normës bazë të interesit do të rriste nivelin e kredive me probleme.

Theksojmë se gjatë tremujorit të parë të vitit 2024 bankat treguan një kujdes të shtuar në miratimin e kredive. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe pati edhe një ndryshim të sjelljes së biznseve dhe të individëve, të cilët u orientuan fort nga kreditimi në lekë, kundrejt huave në monedhën e përbashkët evropiane, kjo nisur nga kushtet e tregut të brendshëm valutor.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Cili sektor po financohet më shumë nga qeveria? 1/3 e shpenzimeve, për mbrojtjen sociale. Më pak për çështjet ekonomike

Postimi mëparshëm

Çfarë po e shkakton rënien e euros në Shqipëri? Analiza/ Cili është impakti real i investimeve, remitancave e turizmit mbi monedhat

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.