Ekonomi

Prilli mbyllet me optimizëm për ekonominë/ Përkeqësohet vetëm ndërtimi për shkak të nivelit aktual të porosive

0

Treguesi i Ndjesisë Ekonomike për muajin prill të këtij viti ka regjistruar rritje me 6.6 pikë, çka tregon se besimi në ekonomi po përmirësohet gradualisht, krahasimisht me dy muajt e parë të vitit ku ky tregues ishte me rënie.

Shifrat e “Bankës së Shqipërisë” nëpërmjet Vrojtimit të Besimit Konsumator dhe të Biznesit sinjalizojnë se Treguesi i Ndjesisë Ekonomike gjatë muajit prill ka arritur pranë 113.8 pikëve, që tregon se është 13.8 pikë mbi mesataren historike. Institucioni sqaron në vrojtim se ky përmirësim i treguesit që mat besimin në ekonomi ka ardhur kryesisht nga rritja e besimit në sektorët e industrisë, shërbimeve, tregtisë si dhe rritja e besimit konsumator. Në të kundërt, besimi në sektorin e ndërtimit pësoi një rënie të lehtë për të dytin muaj me radhë.

Treguesi  i  besimit në ndërtim ra lehtësisht me 0.7 pikë përqindje në muajin prill, ndërkohë që në muajin mars ky tregues ra me 0.9 pikë përqindje. Kjo ecuri këtë muaj u përcaktua kryesisht nga vlerësimet më të ulëta për nivelin e porosive aktuale. Nga ana tjetër, pritjet për punësimin dhe për çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë regjistruar rritje.

Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 3.5 pikë përqindje në muajin prill, ndikuar nga vlerësimet më optimiste për prodhimin industrial aktual dhe për porositë nga eksportet në të ardhmen. Gjithashtu, pritjet e bizneseve për prodhimin industrial në të ardhmen regjistruan rritje ndërsa pritshmëritë për çmimet kanë mbetur të pandryshuara.

Treguesi i besimit në shërbime u rrit me u rrit ndjeshëm, me 8.2 pikë përqindje, duke shënuar kështu nivelin më të lartë historik me 22 pikë përqindje mbi mesataren. Në këtë rritje kontribuan performanca aktuale e  aktivitetit të bizneseve si dhe rritja e nivelit të kërkesës nga konsumatorët.

Gjithashtu, Treguesi i besimit në tregti ka shënuar rritjen më të lartë të të  gjithë treguesve këtë muaj, me rreth 9.3 pikë përqindje. Kjo rritje e fortë u ndikua kryesisht nga vlerësimet optimiste mbi ecurinë aktuale të biznesit si dhe pritjet për punësimin.

Nga ana tjetër, Treguesi i besimit konsumator u rrit me 3.8 pikë përqindje, duke përforcuar prirjen rritëse të nisur muajin e kaluar. Konsumatorët vlerësuan në përmirësim situatën e tyre financiare, situatën ekonomike të vendit në të ardhmen si dhe blerjet në shuma të mëdha, ndërsa pritjet e konsumatorëve për papunësinë dhe inflacionin në të ardhmen janë ulur.

 

 

 

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Marsi sjell rritje të kreditimit me 7.5%/ Vijojnë tendencat rritëse edhe të kredisë për blerje banese

Postimi mëparshëm

Gjysma e huave, për tregtinë dhe ndërtimin/ Rreth 55% e kredisë së re për biznesin u dha vetëm për këto dy sektorë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.