Tregu i Punës

Kush punon më shumë? Stafi i bareve dhe hoteleve! 438 orë më shumë në vit se ata në arsim

0

Orët mesatare të punës për një të punësuar me kohë të plotë përgjatë vitit 2020 llogariten në 2,118 tregojnë shifrat e “Anketës së Kostos së Punës” e publikuar së fundmi nga “Instituti i Statistikave”. Anketa ndjek një periodicitet 4 vjeçar dhe kryhet pranë ndërmarrjeve duke matur nivelin e kostove të punës të cilat përfshijnë pagesat për punonjësit, kontributet për sigurimet shoqërore, kostot e trajnimit profesional, shpenzime të tjera të kryera nga ndërmarrja si dhe orët sipas aktiviteteve. “Scan Intel” ka analizuar orët mesatare vjetore të punës për një të punësuar me kohë të plotë për të kuptuar se si varion koha sipas aktiviteteve të ndryshme ekonomike. Nga të dhënat del se aktiviteti i akomodimit dhe shërbimit regjistron orët më të larta të punës për një të punësuar me kohë të plotë, me 2,197 orë në vit. Ndjekin në renditje “Ndërtimi” dhe “Informacioni e Komunikacioni” me 2,193 orë secili për një të punësuar. Shifrat referuar vitit 2020 gjithashtu tregojnë se aktiviteti i pasurive të patundshme renditet ndër aktivitetet me më shumë orë vjetore për njësi pune me kohë të plotë, me 2,188 orë. Por cilat janë aktivitet të cilat kanë punuar më pak? Siç e tregon edhe paraqitja grafike “Arsimi” dhe “Aktivitetet Profesionale” regjistrojnë orët më të shkurtra për një të punësuar gjatë një viti. Për arsimin janë 1,759 orë në vit, ndërsa për aktivitetet profesionale janë 2,121 orë.

Nëse do të bënim një vështrim të të dhënave krahasuar me vitin 2016-të rezulton se pasuritë e patundshme kryesonin në vend të parë si aktiviteti me më shumë ore pune në vit për një të punësuar me kohë të plotë, me 2,180 orë. “Industria nxjerrëse” dhe “Industria përpunuse” vijojnë si aktivitet me më shumë orë pune përgjatë vitit 2016-të. Nga ana tjetër, aktivitetet me më pak orë janë ato administrative me 1,953 dhe ato të akomodimit me 2,065 orë.

“Scan Intel” ka analizuar ndryshimet e orëve të punës për këto aktivitete nga viti 2016-të në vitin 2020. Ajo që bie në sy nga shifrat e përpunuara është se pothuaj për të gjitha aktivitetet janë rritur orët mesatare të punës, me përjashtim të disa prej tyre. Rënie të orëve mesatare të punës për një të punësuar ka pësuar “Arsimi” me 327 orë ose e shprehur në përqindje me rreth 15.7% më pak se në 2016-ën. Kjo rënie e ndjeshme e orëve të punës në këtë sektor gjatë vitit 2020 duket se është pasojë e situatës së shkaktuar nga Covid-19 dhe zhvillimit të mësimit online. Një aktivitet tjetër i cili paraqitet me rënie të orëve të punës është “ Industria nxjerrëse” me 24 orë ose 1.1%, ndjekur nga aktiviteti i furnizimit me ujë me 0.2%. Nga ana tjetër, rritjen më të lartë të orëve të punës nga vitit 2016-të në vitin 2020 e kanë regjistruar aktivitetet administrative si dhe akomodimi me 9.6% dhe 6.4% përkatësisht.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rekord investimesh të huaja, por “mister” origjina/ IHD pranë 337 mln euro në T2, si asnjëherë më parë, 64% e tyre rezultojnë konfidencialë

Postimi mëparshëm

Të huajt, 931 mln euro prona në Shqipëri/ Rekord i ri këtë vit, në 8 vite investimet janë 10-fishuar, 856 milionë euro rritje

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.