Real Estate

Të huajt, 931 mln euro prona në Shqipëri/ Rekord i ri këtë vit, në 8 vite investimet janë 10-fishuar, 856 milionë euro rritje

0

Të huajt kanë investuar rreth 83 milionë euro në prona në tremujorin e dytë të këtij viti, duke regjistruar kështu një rekord të ri historik. Në vetëm 6 muajt e parë të këtij viti, shifra totale e investimit të të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri fiksohet pranë 142 milionë eurove. Rritja është e konsiderueshme. Krahasuar me 6 muajt e parë të vitit të kaluar, rritja fiksohet kështu pranë 79.7%, sinjalizojnë shifrat zyrtare, ndërkohë që nëse krahasimin e bëjmë me vitin 2019-të, para pandemisë, të huajt kanë investuar për prona në Shqipëri rreth 181% më shumë.

“Scan Intel” i ka analizuar shifrat zyrtare edhe në kuadrin historik, për të kuptuar se sa është pesha e investimeve të të huajve në prona në vendin tonë. Kështu, deri në 6-mujorin e parë të këtij viti, stoku total i investimeve të të huajve në pasuri të paluajtshme në vendin tonë fiksohet pranë 931 milionë eurove. Në tremujorin e parë të vitit 2014 kjo shumë fiksohet pranë vetëm 75 milionë eurove. Pra, në harkun e 8 viteve e gjysëm, stoku i investimeve në prona nga të huajt është rritur me plot 856 milionë euro, ose mbi 1100%. Në nivel fluksesh, në harkun e këtyre 8 viteve e gjysëm, investimet fiksohen pranë 786 milionë eurove. Gjithsesi, në total bëhet fjalë për 931 milionë euro prona që të huajt kanë në vendin tonë.

Kjo shifër përkthehet në rreth 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Ndërkohë, nëse do ta krahasonim me totalin e tregut (shiko këtu), pronat e të huajve në Shqipëri, përfaqësojnë rreth 1.6% të tij. Aktorë të tregut shprehet se tendenca për blerje nga të huajt, sidomos në zonat bregdetare, dhe veçanërisht nga vendet e Europës lindore ka qenë në rritje të ndjeshme gjatë 2 viteve të fundit. Kjo tendencë ka nxitur së tepërmi sektorin e ndërtimit dhe të real estate, duke shtyrë gjithashtu për një rritje të çmimeve, duke qenë se kërkesa është e lartë dhe e qendrueshme.

Rritja e ndjeshme e investimeve në prona në Shqipëri nga të huajt në tremujorin e dytë të vitit ka nxitur gjithashtu një rritje domethënëse të peshës së këtij tregu në “tortën” e investimeve të huaja direkte në vendin tonë sipas sektorit. “Aktivitetet në pasuri të paluajtshme” tashmë zënë rreth 9% të totalit të IHD-ve si stok në vendin tonë, nga rreth 8.5% që ishte kjo peshë në tremujorin e parë të vitit. Sa i përket vetëm flukseve të IHD-ve në tremujorin e dytë të vitit ndërkohë, shifrat sinjalizojnë se për investime në prona është kanalizuar thuajse ¼-ta, ose 24.6% e totalit.

Po sa i përket sektorëve të tjerë? Në vend të parë në nivel stoku vijon të qëndrojë energjia elektrike, që përfaqëson rreth 27% të totalit dhe ndiqet nga industria nxjerrëse me rreth 14.9% të totalit. Në vend të tretë ndërkohë pozicionohen aktivitetet financiare, që përfaqësojnë rreth 12% të totalit të stokut të investimneve të huaja direkte në vendin tonë. Në vend të 4-tët, siç e përmendëm edhe më lart, pozicionohen pikërisht “aktivitetet në pasuri të paluajtshme”.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kush punon më shumë? Stafi i bareve dhe hoteleve! 438 orë më shumë në vit se ata në arsim

Postimi mëparshëm

Shifrat thonë se ky sezon ka qenë rekord për turizmin/ Regjistrohen rreth 689 mijë hyrje më shumë se në vitin 2019-të

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.