Tregu i Punës

Ku punojnë të huajt në Shqipëri? Gjysma në ndërtim, ndjek arsimi dhe tregtia. Bujqësia, pa interes

0

Gjatë viteve të fundit janë vënë re jo pak të huaj të cilët janë punësuar në vendin tonë, dhe madje ka pasur edhe thirrje të herëpashershme nga vetë qeveria shqiptare për forcë punëtore nga jashtë. Po ku punojnë realisht të huajt në vendin tonë? “Scan Intel” ka analizuar shifrat zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe zyrat e punës, për të kuptuar disi tendencën. Shifrat i referohen 9 muajve të parë të vitit 2021, pra përditësimit të fundit, dhe janë të dhëna të mbledhura nga vërtetimet për punësim nga të huajt në vendin tonë. Në total gjatë kësaj periduhe kohore bëhet fjalë për 1097 të huaj të cilët kanë marrë vërtetim pune, nga të cilët 895 janë punëmarrës, 195 janë të vetëpunësuar, dhe 7 të tjerë janë investitorë.

Por në cilët sektorë janë të angazhuar punëmarrësit e huaj në Shqipëri, bazuar në këto shifra? Rezulton se pjesa dërrmuese, gati gjysma janë të punësuar në ndërtim. Më saktë bëhet fjalë për 46.6% të totalit. Në vend të dytë ndjek arsimi, me diferencë të ndjeshme me vendin e parë. Në arsim është e përqëndruar 9.2% e punëmarrësve të huaj gjatë kësaj periudhe kohore të cilët kanë marrë vërtetim. Ndjek më pas tregtia, me shumicë dhe pakicë, me 6.3% të totalit. Të njëjtën peshë zë edhe informacioni me komunikacionin. Akomodimi dhe shqërbimi ushqimor pozicionohet në vend të 5-të, me 6% të totalit, ndjekur nga industria përpunuese, me 4.5%, transporti dhe magazinimi me 3.8%, e me radhë sektorët e tjerë. Shohim gjithashtu se ndër sektorët me peshë në ekonomi, angazhimi i të huajve është mjaft i ulët në bujqësi, me vetëm 0.7% të punëmarrësve, financë dhe sigurime me 0.6%, shëndetësi me 0.7%, apo pasuri të paluajtshme me 0%. Edhe administrata publike, energjia elektrike, apo furnizimi me ujë figurojnë me zero, edhe në terma absolut.

Sipas shtetësive, në vend të parë janë italianët, me 251 vërtetime gjatë kësaj periudhe kohore, ndjekur nga shtetasit nga Kosova, me 110. Shtetet e tjera të identifikueshme ndjekin me diferenca të ndjeshme, ndërkohë që mbi më shumë se gjysma e totalit figurojnë si “të tjerë”, çka sinjalizon se janë kryesisht nga vende të Azisë apo Afrikës, duke qenë se pjesa dërrmuese e vendeve europiane janë të listuara.

Sa i përket të vetëpunësuarve shifrat tregojnë se më shumë janë të orientuar në tregti.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Lufta ndaj pabarazisë, jemi në fund të Europës/ Raporti i “Oxfam”, dobët me taksimin, të fundit për shërbimet publike

Postimi mëparshëm

Rritet me 9.4% numri i mjeteve rrugore në Shqipëri/ “Benzi” kryeson listën si më e preferuara, “Toyota” me rritjen më të lartë gjatë vitit 2021

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.