Financë

Kreditë me probleme vijojnë me rritje/ Në shkurt norma ngjitet në 5.16%, nga 5.10% që ishte në janar

0

Sipas statistikave të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë, norma e kredive me probleme ka shënuar rritje të lehtë gjatë muajit të dytë të vitit 2023, duke shkuar në 5.16%. Krahasuar me periudhën paraardhëse, është rritur me vetëm 0.06 pikë përqindje, nga 5.10% që ishte në muajin janar. Nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë, treguesi i kredive me probleme ka pësuar një rënie prej 0.23 pikë përqindje, nga 5.39% që ishte në shkurtin e 2022-shit.

Përgjatë vitit të kaluar, kjo normë është dominuar nga ritme rënëse, përveç muajve prill, maj dhe nëntor ku pati rritje të vogla me vetëm 0.02-0.18 pikë përqindje. Nga ana tjetër, shifrat zyrtare sinjalizojnë që dy muajt e parë të vitit 2023 kanë shfaqur një rritje të lehtë të normës së kredisë. Mbetet për t`u parë nëse këto rritje të lehta në normën e kredive me probleme do të vijojnë të jenë sporadike apo do të jemi drejt krijimit të një trendi rritës që do të reflektonte vështirësitë ekonomike që po kalon vendi.

Norma e kredive me probleme ndaj totalit të huave, ka pësuar ndryshime të theksuara përgjatë viteve, në varësi të rrethanave dhe ngjarjeve ekonomike që kanë shoqëruar vendin. Mesatarisht norma e kredive me probleme që kanë shoqeruar vitin 2022, është në vlerën e 5.24%. Pavarësisht ndonjë rritje të lehtë, ecuria e këtij treguesi vazhdon të jetë e qëndrueshme dhe duket sikur ka tendecën të shkojë në nivelet e para krizës botërore ku mesatarisht kjo normë për vitin 2008 ishtë në vlerën 4.4%.

Qëndrueshmëria e normës së kredive me probleme tregon një sistem bankar të shëndetshëm, duke sjell një sërë aspektesh pozitive si nga ana e besimit të konsumatorit, por edhe në klimën e biznesit. Megjithatë, nuk duhet harruar mundësia që pasojat e situatës së vështirë ekonomike do të reflektohen në këtë tregues në periudhën afatgjatë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Pagat në ndërtim u rriten më shumë se në Europë/ Shqipëria vendi i pestë me ngjitjen më të lartë, punonjësit u paguan 16% më shumë se në 2021

Postimi mëparshëm

“Moody`s” ruan notën e Shqipërisë, në B1/ “Ekonomia shqiptare i rezistoi goditjes së 3-fishtë, falë turizmit dhe IHD”

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.