Treguesi i ndjesisë ekonomike për muajin shtator të këtij viti u rrit me 0.6 pikë duke vazhduar trendin pozitiv të muajve të fundit. Kështu, shifrat e Bankës së Shqipërisë nëpërmjet “Vrojtimit të Besimit Konsumator dhe të Biznesit” sinjalizojnë se ky tregues qëndron rreth 1.2 pikë mbi mesataren historike afatgjatë dhe kjo rritje u nxit kryesisht nga besimi i shtuar në sektorët kryesorë si industria, ndërtimi dhe shërbimet.
Pas përpunimit të të dhënave nga “Scan Intel” ndryshimet e treguesve të tjerë paraqiten si më poshtë: Treguesi i besimit në tregtishënoi një rënie prej 2.3 pikësh në shtator, pas rritjes prej 6.1 pikësh që pati muajin e kaluar. Edhe pas kësaj rënie, treguesi mbetet rreth 10 pikë mbi mesataren historike duke treguar një besim të qëndrueshëm në sektorin e tregtisë. Kjo ulje e treguesit të besimit në këtë sektor u nxit kryesisht nga pritjet pesimiste për një rënie të mundshme në nivelin e punësimit në të ardhmen, ndërsa ndikim më të vogël pati vlerësimi negativ mbi ecurinë aktuale të bizneseve. Në të kundërt, treguesit e tjerë paraqiten me rritje përveç treguesit të besimit konsumator i cili ruajti të njëjtin nivel me muajin e mëparshëm.
Treguesi i besimit në industri shënoi një rritje prej 2.5 pikësh. Ky tregues është 14 pikë mbi mesataren historike, çka pasqyron pritje më optimiste nga bizneset për prodhimin aktual dhe për porositë e ardhshme nga eksportet. Nga ana tjetër, treguesi i besimit në shërbime u rrit me 3.1 pikë përqindje në shtator. Pavarësisht luhatjeve mujore, niveli i treguesit qëndron 18 pikë përqindje mbi mesataren historike
Ndërsa rritja për treguesin e besimit në ndërtim ka qenë modeste prej 1.2 pikësh. Kjo rritje erdhi kryesisht nga optimizmi i bizneseve për aktivitetin aktual në ndërtim. Pritjet për punësimin në këtë sektor janë përmirësuar, ndërsa pritjet për çmimet kanë shënuar një ulje të lehtë, duke sugjeruar stabilitet në tregun e punës, por me një tendencë të zbutur të çmimeve në të ardhmen.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments