Në ankandin e fundit të Bankës së Shqipërisë tregu i letrave me vlerë ka reflektuar një vijimësi të tendencës rënëse të yield-eve. Shifrat tregojnë se yield-i mesatar i ponderuar për bonot me afat maturimi 12-mujor arriti në 3.11 %, nga 3.15% që ishte shënuar në ankandin e zhvilluar në muajin gusht. Kjo normë konsiderohet si më e ulëta në gati dy vitet e fundit.
“Scan Intel” ka analizuar më tej të dhënat e detajuara mbi ankandin e zhvilluar nga Banka e Shqipërisë në datë 24 shtator. Shifrat tregojnë se në këtë ankand u ofruan për shitje 6.5 miliardë lekë bono me afat maturimi 12 muaj. Shuma e kërkuar nga investitorët ishte 5.9 miliardë lekë më e lartë se ajo e ofruar për shitje çka ndikoi edhe në uljen e yield-it mesatar. Një tjetër arsye pse kërkesa për këto bono është më e lartë se shuma e shpallur nga qeveria lidhet me faktin se investimi në bono thesari është një investim i sigurtë i garantuar me ligjin për borxhin publik, ku interesi i përcaktuar nga tregu ju garantohet investitorëve për të gjithë kohëzgjatjen (12 muaj) dhe është tërësisht i lirë nga tatimi.
Ulja e yield-it të bonove 12-mujore dhe e instrumenteve financiare të tjera reflekton ndikimin direkt në kostot e huamarrjes për sektorin privat. Bonot 12-mujore zënë një vend të rëndësishëm në tregun financiar, pasi ato janë instrumentat që emetohen më shpesh nga Banka e Shqipërisë. Kjo i bën ato një ndër mjetet kryesore të huamarrjes në tregun e brendshëm. Ndërsa rënia e vazhdueshme e yield-eve të këtyre bonove mund të sugjerojë një klimë më të favorshme për “borxhlinjtë” veçanërisht në sektorin privat, që përfitojnë nga kushtet më të favorshme të kredisë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments