Huaja e re drejt sektorit privat jofinanciar gjatë Gushtit fiksohet pranë rreth 33 miliardë lekëve, në rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur fiksohej pranë rreth 21 miliardë lekëve. Në terma nominal rritja është pranë 55%. Shifrat tregojnë se krahasuar me vitet paraardhëse, kjo është shifra më e lartë që prej Gushtit të vitit 2017-të, kur kredia e re për sektorin privat fiksohej në 20 miliardë lekë.
Por, ajo që bie në sy nga shifrat është huaja e re sipas sektorëve, ku spikasin disa prej tyre. Nëse flasim për ndryshimin vjetor, të dhënat tregojnë se rritjen më të madhe në Gusht të këtij viti, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar, e kanë shënuar aktivitetet financiare me mbi 1000% dhe vlera e huasë së re për këtë sektor është rreth 194 milionë lekë. Nga ana tjetër, me rritje të konsiderueshme vërehet edhe sektori i energjisë elektrike dhe shëndetësia.
Sektori i energjisë për muajin Gusht të këtij viti renditet i dyti jo vetëm sa i përket rritjes vjetore por edhe masës së huasë me gati 10.7 miliardë lekë, duke spostuar ndërtimin në vend të tretë me 3.7 miliardë lekë. Nga ana tjetër, nëse përllogarisim peshën e huasë së re që zë secili sektor në huanë totale rezulton se “Tregtia” zë pjesën më të madhe me rreth 12 miliardë lekë dhe një rritje vjetore prej 14.4%.
Në të kundërt, të dhënat nga institucioni i bankës tregojnë se sektorët që i’u drejtuan më pak bankave për kredi ishin “Shërbimet Administrative”, “Arte, argëtim dhe çlodhje”, “Arsimi”, “Furnizimi me ujë”.
Ndërkohë, huaja e re në sektorin privat u paraqit me rënie në aktivitete si administrimi public, transporti dhe magazimimi, arsimi apo aktivitetet e pasurive të paluajtshme.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments