Çmimet

Inflacioni sipas Eurostat zbret në 5.5%/ Çmimet në mars u rritën më pak se në rajon e Europë, por ushqimet vijojnë me rritje dyshifrore

0

Instituti i Statistikave ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin mars të vitit 2023, që mat rritjen e çmimeve sipas metodës së Eurostat. Ky tregues fiksohet në 5.5%, ndërkohë që sipas metodës së Instat, po për të njejtin muaj fiksohej në 5.3%.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 10.4% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 6.7%, “Argëtim dhe kulturë” me 5.5%, “Veshje dhe këpucë” me 3.9%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3.8% dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3.5%. Me rritje po ashtu paraqiten “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.2%, “Shëndeti” me 2.2%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Shërbimi arsimor” me 2.0% secili dhe “Komunikimi” me 1.2%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 2.3%.

Në muajin Mars 2023, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 1.1%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 2.3% secili, pasuar nga grupet, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1.1%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0.4% secili, “Komunikimi” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0.1% secili. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 0.6%, pasuar nga “Shërbimi arsimor” me 0.2%.

Krahasuar me vendet e tjera të Europës ndërkohë, norma vjetore e rritjes së çmimeve në vendin tonë prej 5.5% në mars rezulton të jetë e 8-ta më e ulët mes vendeve të BE-së, dhe nën mesataren e unionit, e cila fiksohet pranë 8.3%. Turqia dhe Hungaria raportohen si vendet me rritjen më të lartë të çmimeve në Europë, prej 50.6% dhe 25.6% përkatësisht, pasuar nga Letonia dhe Çekia me 17.2% dhe 16.5%. Nga krahu i kundërt i tabelës gjendet Zvicra, për të disatën herë, me një normë inflacioni pranë 2.7%, sinjalizojnë shifrat zyrtare. Luksemburgu, Spanja, Holanda dhe Belgjika po ashtu janë mes vendeve me rritjen më të ulët të çmimeve.

Krahasuar me rajonin, Shqipëria renditet në fund, me rritjen më të ulët për marsin e vitit 2023. Serbia kryeson me një normë të rritjes së çmimeve deri në 15.5%, pasuar nga Maqedonia e Veriut me 13.8% dhe Mali i Zi me 10.3%.

Theksojmë se Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit i referohet metodologjisë europiane, por të dhënat janë ato të Institutit të Statistikave, por të vetmet ndyshime mes dy metodologjive janë sa i përket peshës që zë secili grup në normën e rritjes së çmimeve.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Turizmi, me rritje në shkurt/ Më shumë se gjysma janë të huaj. Veriu, më i preferuar se jugu

Postimi mëparshëm

Garuesit e 14 majit, mosha mesatare në 49 vjeç/ PD, subjekti më i “plakur”, ndiqet nga “Bashkë Fitojmë”. PS, subjekti me kandidatët më të rinj, 47.6 vjeç

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.