Çmimet

Inflacioni ngjitet në 8.1%/ Niveli më i lartë në 24 vite. Ushqimet dhe transporti udhëheqin shtrenjtimin, por mister me karburantet

0

Niveli i inflacionit në vendin tonë gjatë shtatorit është ngjitur pranë 8.1%, duke tejkaluar edhe rekordin e regjistruar gjatë gushtit prej 8%, tregojnë shifrat zyrtare nga Instituti i Statistikave. Norma e inflacionit prej 8.1% gjatë gushtit të këtij viti rezulton të jetë më e larta që prej dhjetorit të vitit 1998, kur fiksohej pranë 8.7%, sinjalizojnë shifrat e analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel”.

Kështu, Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Shtator 2022 arriti pranë 110,8 kundrejt muajit Dhjetor 2020. Krahasuar me gushtin e këtij viti, në shtator, çmimet e konsumit rezultojnë 0.6% më të larta. Gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë ndërkohë, norma e inflacionit në vendin tonë fiksohej pranë 2.5%.

Ndikimin kryesor në këtë normë prej 8.1% të rritjes së çmimeve gjatë shtatorit e ka dhënë grupi “ushqime dhe pije joalkoolike”, me 4.91 pikë përqindje, pra duke kontribuar më shumë se gjysmën e rritjes, ndjekur nga transporti, me 0.99 pikë përqindje, si dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.64 pikë përqindje. Asnjë prej grupeve nuk ka dhënë kontribut negativ në normën e inflacionit gjatë shtatorit, çka tregon se rritja e çmimeve është e shtrirë në të gjitha mallrat dhe shërbimet.

Duke kaluar te analiza sipas zërave, shohim se rritjen më të madhe të çmimeve krahasuar me një vit më parë e regjistron “transporti” me 17.2%, mes kategorive, ndjekur nga “ushqimet dhe pijet jo-alkoolike”, me 14%. Sa i përket nënkategorive ndërkohë vëmë re se në vend të parë në terma rritje është zëri i “vajrave”, me çmime 30% më të larta se një vit më parë, ndjekur nga “Qumështi, djathi dhe vezët”, me çmimet 24% më të larta, si dhe “Shërbime ndaj mjeteve personale të transportit”, pra servisi i automjteve, me një rritje të çmimeve prej 22%.

Sa i përket vetëm ushqimeve ndërkohë, ato rezultojnë 14.6% më të shtrenjta se një vit më parë, ku veç vajrave dhe bulmetit, shohim një rritje të ndjeshme të çmimeve të bukës dhe drithërave me 17.3%, të peshkut me 15.1%, mishit me 12%, sheqernave dhe ëmbëlsirave me 15.1%, kafes/çajit/kakaos me 7.3%, pijeve jo-alkoolike me 6.5% apo zarzavateve me 8.5%.

Ashtu si edhe muajt e mëparshëm këtë vit, kur presionet inflacioniste kanë qenë tepër të larta, vëmë re se vijojnë pikepyetjet e mëdha në lidhje me disa zëra, dhe kryesisht me atë “Qira, lëndë djegëse, energji”. Çmimet e qirave në shtator rezultojnë vetëm 2% më të larta se shtatori i vitit të kaluar, dhe çmimet e “lëndë djegëse dhe energji” vetëm 5% më të larta se vitit 2021. E njëjta gjë është vënë re edhe në muajt e mëparshëm. Nga ana tjetër, në zërin “Transport” ku rritja e çmimeve por edhe kontributi në normën e inflacionin rezulton tepër i lartë, nuk përfshihen drejtpërdrejtë karburantet por vetëm 3 kategori: “blerja e mjeteve”, “shërbime ndaj mjeteve personale të transportit” dhe “shërbime transporti”. Pra, çmimet e karburanteve, që prej muajsh janë në rritje të ndjeshme, duke u shtrenjtuar deri në 50%, nuk figurojnë si të tillë në asnjë prej zërave të Insititutit të Statistikave në indeksin e çmimeve të konsumit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kreditë me probleme prekin rekord të ri/ Norma zbret në 5.2%, niveli më i ulët prej nëntorit të vitit 2008

Postimi mëparshëm

Ministritë, më shembulloret dhe më pak shembulloret/ “Financa” dhe “Turizmi” kanë mungesë transparence, “Kultura” gati 1 vit pa lajm

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.