Financë

Kreditë me probleme prekin rekord të ri/ Norma zbret në 5.2%, niveli më i ulët prej nëntorit të vitit 2008

0

Norma e kredive me probleme ka zbritur pranë një rekordi të ri historik gjatë gushtit, tregojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë. Të dhënat sinjalizojnë kështu se, gjatë gushtit, norma e kredive me probleme ka zbritur pranë 5.2%, duke thyer edhe rekordin e mëparshëm, të regjistruar në muajin mars të këtij viti, prej 5.24%. Niveli i gushtit duket se “shënjestron” edhe më shumë rekordin e prekur në nëntor të vitit 2008, prej 5%. Kujtojmë se me krizën financiare globale të viteve 2008-2009, norma e kredive me probleme në vendin tonë nisi një trajektore në rritje progresive, për të kulmuar pranë 25% në vitin 2015. Prej asaj kohe ndërkohë ka vijuar me një rënie graduale, e cila u theksua edhe më shumë me pandeminë, përkundrejt të gjitha pritshmërive dhe parashikimeve. Madje, vetë Banka e Shqipërisë priste një rritje të ndjeshme të këtij treguesi, edhe pranë normës së 15%, ndërkohë që ndodhi krejt e kundërta.

Madje, treguesi vijoi rënien edhe këtë vit, edhe pse me ritme më të moderuara, pavarësisht krizës së çmimeve që ka goditur të dyja segmentet, si individët ashtu edhe biznesin. Por, shifrat po tregojhnë se aftësia paguese nuk është cënuar.

Gushti është muaji i tretë me radhë në rënie për normën e kredive me probleme, pas dy muajsh në rritje të lehtë, gjatë prillit dhe majit. Gjatë pandemisë u regjistruan 14 muaj me radhë në rënie për treguesin. Në janar të vitit 2020, pra dy muaj përpara se të fillonte pandemia, norma e kredive me probleme fiksohej pranë 8.3%. Ndërkohë gjatë muajit paraardhës, në korrik të këtij viti, kjo normë raportohej në 5.27%, çka sinjalizon një rënie me 0.07 pikë përqindje.

Norma e kredive me probleme është një prej treguesve më të rëndësishëm të shëndetit financiar bankar, por edhe një sinjal i mirë për ekonominë në tërësi, në mënyrë të drejtpërdrejtë, pasi tregon aftësi të mirë paguese, por edhe indirekt, pasi tregon se sektori bankar do të vijojë të mbështesë sektorët e ndryshëm të ekonomisë, përfshirë familjarët, me financim. Kujtojmë se sektori bankar është vlerësuar nga brenda vendit, por edhe nga shumë organizma ndërkombëtarë me peshë si një prej shtyllave kryesore të rimëkëmbjes së ekonomisë shqiptare, veçanërisht me pandeminë, por edhe tanimë me krizën e çmimeve.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Nga erdhën turistët këtë vit? Nga Kosova, M.Veriut dhe Italia, thuajse 60%. Shifrat nxjerrin se mbi 500 mijë janë “anonim”

Postimi mëparshëm

Inflacioni ngjitet në 8.1%/ Niveli më i lartë në 24 vite. Ushqimet dhe transporti udhëheqin shtrenjtimin, por mister me karburantet

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.