Çmimet

Inflacioni, në rënie për të 6-tin muaj/ Zbret pranë 4.6%, por ushqimet vijojnë të shtrenjtohen me ritme dyshifrore

0

Inflacioni regjistron një tjetër rënie për prillin, duke zbritur pranë 4.6%, tregojnë shifrat më të fundit nga Instituti i Statistikave. Prilli është muaji i 6-të me radhë në rënie të inflacionit. Kjo seri e zbutjes së rritjes së çmimeve nisi në nëntor të vitit të kaluar, kur norma zbriste pranë 8.1%, nga 8.3% që ishte në tetor, kur u prek edhe rekordi historik i më shumë se dy dekadave. Në mars të këtij viti ndërkohë, pra muajin pararendës, kjo normë fiksohej pranë 4.3%. Sa i përket ndryshimit mujor të çmimeve, pra nga marsi në prill, shifrat e Institutit të Statistikave flasin për vetëm 0.03% rritje.

Sa i përket kontributit të grupeve kryesore në rritjen e çmimeve me 4.6% gjatë prillit, krahasuar me prillin e vitit të kaluar, ndikimin më të madh, me plot 3.43 pikë përqindje vlerësohet se e ka dhënë grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0.48 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me 0.44 pikë përqindje dhe “Hotele, kafene dhe restorante” si dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0.2 pikë përqindje secili. Vetëm çmimet e grupit “Transporti” kanë ndikuar negativisht, me -0.71 pikë përqindje, çka tregon se rënia e çmimeve të naftës ka filluar të japë efekt të kundërt në normën e inflacionit, edhe pse grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse” ka dhënë kontribut pozitiv.

Sa i takon ndryshimit vjetor të çmimeve për grupet kryesore, vëmë re se “Ushqimet dhe pijet joalkoolike” në prill kanë qenë 9.6% më të shtrenjta se prilli i vitit 2022. Kjo rritje pasohet nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6.7 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4.5%, “Veshje dhe këpucë” me 3.9%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.8%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3.6%, “Argëtim dhe kulturë” me 2.4%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2.3%, “Shërbimi arsimor” me 2.1%, “Shëndeti” me 1.4% dhe “Komunikimi” me 1.2%. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 10.7%.

Duke e kanalizuar analizën te nëngrupet shohim se rritje të konsiderueshme regjistrojnë ato të ushqimeve. Vetëm këto të fundit, pa përfshirë pijet rezultojnë 10.1% më të shtrenjta në prill krahasuar me prillin 2022 dhe 0.3% më të lira kahasuar me marsin e këtij viti. Çmimet e “Qumësht, djath, vezë” në prill rezultojnë 15.5% më të larta se një vit më parë, të peshkut 13.5% më të larta, mishit 12.3%, perimet 10.7% dhe frutat 7.7%. Për këto të fundit kjo është rritje më e lartë që prej janarit të vitit 2022, pra përpara krizës së çmimeve. Zbutja e përgjithshme e inflacionit duket se gjatë muajve të fundit është kombinuar me një shtrenjtim të produkteve që më parë nuk ishin prekur aq shumë nga kriza, kryesisht fruta-zarzavatet. Prilli nga ana tjetër ka konfirmuar zbutjen e rritjes së çmimeve për vajrat, në rritje me vetëm 0.8%, që është norma më e ulët që prej tetorit të vitit 2019-të.

Me përjashtim të ushqimeve dhe mobilimit të shtëpisë, thuajse te të gjitha grupet dhe nëngrupet e tjera vihen re luahtje jo shumë të mëdha të çmimeve.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa para dërgojnë shqiptarët jashtë? Mbi $50 milionë në vit. Italia dhe Greqia `presin` 87% të totalit, SHBA e 3-ta

Postimi mëparshëm

Remitancat, sa 10% e ekonomisë shqiptare/ KNOMAD: $1.8 mld në vit nga emigrantët, kryesojnë dërgesat nga Italia, Greqia, SHBA

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.