Financë

Remitancat, sa 10% e ekonomisë shqiptare/ KNOMAD: $1.8 mld në vit nga emigrantët, kryesojnë dërgesat nga Italia, Greqia, SHBA

0

Partneriteti Global për Migrimin dhe Zhvillimin, i njohur ndrsyhe si “KNOMAD” është ndër organet që fokusohet më së shumti te statistikat e migrimit, dhe veçanërisht remitancat, si një komponent mjaft i rëndësishëm i fenomeve migratore. Ky organ funskionon si një grup pune i Bankës Botërore dhe bashkëpunon edhe me institucione të tjera, si FMN apo OKB sa i përket të dhënave. Por, çfarë thonë të dhënat më të fundit të KNOMAD për remitancat në Shqipëri?

“Scan Intel” i ka analizuar me detaje shifrat, të cilat flasin për 1.8 miliardë dollarë dërgesa nga emigrantët në Shqipëri gjatë vitit të kaluar, sipas një vlerësimi paraprak, dhe rreth 1.7 miliardë dollarë për vitin 2021. Kjo shifër është ndjeshëm më e lartë se ajo që raporton Banka e Shqipërisë, për shkak të ndryshimeve në mënyrën se si përkufizohen remitancat. Por, gjithsesi, në të dyja rastet, nuk përfshihen kanalet jo-zyrtare të transferimit të parave. Rreth 1.8 miliardë dollarë dërgesa nga emigrantët në një vit në Shqipëri përkthehen në plot 9.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit tonë për vitin 2022. Kjo shifër na pozicionon ndër vendet e para në Europë dhe botë sa i përket peshës që kanë dërgesat e emigrantëve në ekonomi. Më saktësisht, nga përpunimii të dhënave rezulton se Shqipëria renditet e 30-ta në botë, ndër 172 shtete sa i përket peshës së remitancave në ekonomi. Krahasuar me Europën, rezulton se vetëm Armenia, me një normë pranë 18.9%, Kosova me 17.3%, Gjeorgjia, Moldavia, Mali i Zi, Ukraina dhe Bosnje Hercegovina kanë një varësi më të lartë se Shqipëria nga dërgesat e emigrantëve, mes vendeve të Europës.

Por, nga vijnë këto dërgesa? Shifra e “KNOMAD” tregojnë se në total janë 54 shtete nga të cilat kanë ardhur dërgesa në formë remitancash për vitin 2021 si të plotë. Por, vetëm 6 prej tyre zënë mbi 90% të totalit. Në vend të parë renditet Italia, me 646 milionë dollarë, ose 37.7% të totalit, dhe ndiqet nga Greqia, me 542 milionë dollarë, ose 31.6% të totalit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndjekin në vend të 3-të, me 130 milionë dollarë në vit, ose 7.6% të totalit. Ndjek më pas në renditje Gjermania me 120 milionë dollarë, Maqedonia e Veriut, me 77 milionë dollarë, Mbretëria e Bashkuar me 53 milionë dollarë, Franca me 44 milionë, Kanadaja me 21.5 milionë, Belgjika me 17 milionë dhe Suedia me 11.6 milionë. Kosta Rika, Lihtenshteini dhe Bolivia janë tre vendet e fundit të listës, mes atyre që regjistrojnë dërgesa, por me vlera thuajse të papërfillshme.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Inflacioni, në rënie për të 6-tin muaj/ Zbret pranë 4.6%, por ushqimet vijojnë të shtrenjtohen me ritme dyshifrore

Postimi mëparshëm

Marsi rikthen rënien e kredive me probleme/ Norma bie lehtë pranë 5.15%, nga 5.16% që ishte në shkurt

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.