Çmimet

Inflacioni, në 5% sipas Eurostat/ Më i lartë se matjet e Instat, por poshtë mesatares së unionit dhe rajonit për muajin prill

0

Instituti i Statistikave ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin prill të vitit 2023, që mat rritjen e çmimeve sipas metodës së Eurostat. Ky tregues fiksohet në 5%, më i lartë se e njejta periudhë e një viti më parë, ndërkohë që sipas metodës së Instat, po për të njejtin muaj fiksohej në 4.6%.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 9.4% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 6.7%, “Veshje dhe këpucë”, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 4.0% secili. Po ashtu me rritje paraqiten “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 3.9% secili, “Shëndeti” me 2.5%, “Shërbimi arsimor” me 2.4%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1.7% dhe “Komunikimi” me 1.1%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 3.9%.

Në muajin prill 2023, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0.2%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0.9%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0.7%, “Argëtim dhe kulturë” me 0.6%, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me 0.3% secili, “Komunikimi” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0.2% secili, “Veshje dhe këpucë” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.1% secili. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 0.6%.

Krahasuar me vendet e tjera të Europës ndërkohë, norma vjetore e rritjes së çmimeve në vendin tonë prej 5% në prill rezulton të jetë e 8-ta më e ulët mes vendeve të BE-së, dhe nën mesataren e unionit, e cila fiksohet pranë 8.1%. Turqia dhe Hungaria vijojnë dhe për këtë muaj të raportohen si vendet me rritjen më të lartë të çmimeve në Europë, prej 43.7% dhe 24.5% përkatësisht, pasuar nga Letonia me 15%. Nga krahu i kundërt i tabelës gjendet Zvicra, për të disatën herë, me një normë të inflacioni pranë 2.6%, sinjalizojnë shifrat zyrtare. Luksemburgu, Belgjika dhe Spanja po ashtu janë mes vendeve me rritjen më të ulët të çmimeve.

Krahasuar me rajonin Shqipëria renditet në fund me rritjen më të ulët për prillin e vitit 2023. Serbia kryeson me një normë të rritje së çmimeve deri në 14.8%, pasuar nga Maqedonia e Veriut me 12% dhe Mali i Zi me 8.6%. Serbia po ashtu renditet vendi i katërt në Europë, sipas të dhënave të “Agjencisë Europiane të Statistikave”, me normën më të lartë të inflacionit.

Theksojmë se Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit i referohet metodologjisë europiane, por të dhënat janë ato të Institutit të Statistikave, por të vetmet ndyshime mes dy metodologjive janë sa i përket peshës që zë secili grup në normën e rritjes së çmimeve.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Tirana rrit epërsinë në ekonomi/ Me rritje edhe Durrësi e Vlora, 9 qarqe “tkurrin” peshën në strukturën e PBB-së për vitin 2021

Postimi mëparshëm

Tregtia e jashtme “thellon” rënien në prill/ Importet dhe eksportet u ulën me 19.2% dhe 3.9%, ndikuan negativisht lëndët djegëse dhe materialet e ndërtimit

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.