Ekonomi

Tirana rrit epërsinë në ekonomi/ Me rritje edhe Durrësi e Vlora, 9 qarqe “tkurrin” peshën në strukturën e PBB-së për vitin 2021

0

Gjatë vitit 2021 Produkti i Brendshëm Bruto me çmime korrente, në Shqipëri, është vlerësuar në 1,85 trilionë lekë duke shënuar rritje në terma realë me 8.91%, krahasuar me vitin 2020-të. Nëse këtë tregues do ta analizonim sipas rajoneve vëmë re se Produkti i Brendshëm Bruto në rajonin Veri regjistrohet në 415 mld lekë, në rajonin Qendër 936 mld lekë, ndërsa në rajonin Jug 504 mld lekë duke u rritur përkatësisht secili rajon me 8.43%,10.84% dhe 5.83%. Kur flasim për strukturën sipas rajoneve, PBB me çmime korrente në rajonin Veri zë 22.47% ndaj totalit të vendit, në rajonin Qendër është sa 50.45% e totalit, ndërsa në rajonin Jug është sa 27.18% e totalit të PBB-së.

Por nëse flasim për qarqet, si paraqitet kjo strukturë? Sipas publikimit të “Institutit të Statiatikave” Tirana përfaqëson 43.72% të ekonomisë së vendit në vitin 2021, ndërkohë qarku i Fierit renditet i dyti me peshën me të madhe duke përfaqësuar rreth 10.86% te ekonomisë së vendit. Ndërkohë, qarku i Kukësit ka peshën më të vogël në ekonomi, referuar shifrave, me vetëm 1.56% të totalit. Por si ka ndryshuar kjo shifër krahasuar me vitin 2020? “Scan Intel” ka kryer një analizë nga ku rezulton se, krahasuar me vitin 2020 pesha e qarkut të Tiranës në vititn 2021 ështe rritur me 0.77 pikë përqindje. Po ashtu, Durrësi dhe Vlora janë qarqe që kanë rritur peshën e tyre në ekonomi, përgjatë vitit 2021, përkatësisht me 0.13 pikë dhe 0.02 pikë. Ndërkohë, qarqet e tjera rezultojnë me rënie të peshës së tyre ku rënien me të madhe e gjejmë në Korçë dhe Berat me 0.19 pike përqindje dhe 0.16 pikë përqindje. Korça përfaqëson 5.20% të ekonomisë, ndërsa Berati 3.35% për vitin 2021.

Sipas qarqeve kontributin më të madh në rritjen ekonomike për vitin 2021 e ka dhënë Qarku Tiranë me 4,93 pikë përqindje, pasuar nga Qarku Durrës me 1,07 pikë përqindje dhe Qarku Fier me një kontribut prej 0,66 pikë përqindje. Kontributin më të ulët në rritjen ekonomike e ka dhënë Qarku Kukës me 0,07 pikë përqindje, i pasuar nga Qarku Gjirokastër me një kontribut prej 0,08 pikë përqindje dhe Qarku Berat me një kontribut prej 0,11 pikë përqindje.

Por si paraqiten të dhënat e Produktit të Brendshëm Bruto për frymë? Në vitin 2021, niveli i PBB-së për frymë arriti në 660 mijë Lekë. Krahasuar me vitin 2020, PBB për frymë në terma nominale shënoi një rritje prej 13.72%.

Në rajonin Veri, PBB për frymë është vlerësuar 524 mijë lekë. Nga ana tjetër, PBB-ja për frymë në rajonin qendër dhe jug është vlerësuar 794 mijë lekë dhe 599 mijë lekë respektivisht. Niveli më i lartë i PBB-së për frymë sipas qarqeve në vitin 2021, ishte në qarkun Tiranë, me 886 mijë lekë dhe shënoi një rritje në terma nominale me 13.83%, krahasuar me vitin 2020. PBB për frymë i këtij qarku rezultoi 34.21% mbi mesataren e vendit. Më pas renditet qarku Fier me 714 mijë lekë, duke shënuar një rritje në terma nominale me 14.29%, ndaj vitit 2020. PBB per frymë e këtij qarku rezultoi 8.17% mbi mesataren e vendit.

Niveli më i ulët i PBB-së për frymë në vitin 2021 u vlerësua në Qarkun Kukës me rreth 395 mijë lekë, duke shënuar një rritje në terma nominale me 8.74%, krahasuar me vitin 2020. PBB për frymë e këtij qarku ishte 40.24% nën mesataren e vendit. Më tej, me PBB-në për frymë më të ulët vijon Qarku Lezhë me rreth 461 mijë lekë, duke shënuar një rritje në terma nominale 12.02% ndaj vitit 2020. PBB për frymë e këtij qarku ishte 30.19% nën mesataren e vendit dhe qarku Shkodër me 467 mije lekë, duke shënuar një rritje në terma nominale me 13.20% ndaj vitit 2020. PBB për frymë e këtij qarku ishte 29.25% nën mesataren e vendit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa “pushtet” fituan gratë dhe vajzat më 14 Maj? 13% të “tortës” së të ardhurave të bashkive, dy herë më shumë se e gjithë opozita së bashku

Postimi mëparshëm

Inflacioni, në 5% sipas Eurostat/ Më i lartë se matjet e Instat, por poshtë mesatares së unionit dhe rajonit për muajin prill

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.