Ekonomi

Tregtia e jashtme “thellon” rënien në prill/ Importet dhe eksportet u ulën me 19.2% dhe 3.9%, ndikuan negativisht lëndët djegëse dhe materialet e ndërtimit

0

Të dhënat nga “Instituti i Statistikave” mbi tregtinë e jashtme referuar muajit Prill të këtij viti tregojnë se eksportet dhe importet vijojnë edhe për këtë muaj të regjistrojnë rënie. Kështu, në Prill eksportet e mallrave arritën vlerën 34 mld lekë, duke rënë me 19.2%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 19.3%, në krahasim me Marsin e vitit 2023. Nga ana tjetër, importet e mallrave arritën vlerën 75 mld lekë, duke rënë me 3.9%, në krahasim me një vit më parë dhe me 7.1%, në krahasim me muajin paraardhës. Referuar të dhënave të muajit prill duket se importet kanë thelluar rënien e tyre në vlerë. Sipas raportit të INSTAT zhvlerësimi i Euros ka ndikuar në volumin tregtar, krahasuar me një vit më parë, kjo pasi Shqipëria kryen pjesën më të madhe të shkëmbimeve tregtare me vendet e Eurozonës. Ndër të tjera, në raport thuhet se po ashtu ka ndikuar edhe rënia e çmimeve në tregjet botërore të produkteve që kanë impakt në volumin tregtar.

Nga ana tjetër, referuar analizës së të dhënave në volum, pra në peshë eksportet dhe importet nuk kanë shkuar në të njetin drejtim për muajin Prill të këtij viti. Importet kanë shënuar rritje, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti me parë, ndërkohë eksportet paraqiten me rënie . Eksportet në peshë kanë rënë me 5,6%, krahasuar me muajin prill të vitit 2022, ndërsa importet janë rritur në peshë me 4.2%.

Po t’i analizojmë sipas grupmallrave shohim se në peshë rënien më të lartë sa i përket eksporteve e kanë shënuar “ Materiale ndërtimi dhe metale” me 27.2%, ndërkohë ndjek në renditje me një rënie të konsiderueshme “Tekstile dhe këpucë” me 20.6%, çka konfirmon impaktin e zhvlerësimit të euros te industria fasone. Rritje në volum në drejtim të eksporteve kanë shënuar edhe grupet “Lëkurë dhe artikuj prej lëkure” me 28.7%, “Minerale, lëndë djegëse” dhe “Ushqim, pije e duhan” me 2% secili.

Në drejtim të importeve, shifrat tregojnë se janë rritur në volum, paçka se në vlerë paraqiten me rënie. Kjo duket të jetë rrjedhojë kryesisht e rritjes prej 31.8% të importit të makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit. Rënie në peshë të importeve kanë regjistruar hidrokarburet me 11.8% dhe prodhimet e drurit me 15.9%.

“Scan Intel” ndër të tjera ka analizuar edhe ndryshim në vlerë të importeve dhe eksporteve sipas grupeve. Shifrat tregojnë se për eksportet rritjen më të madhe nga grupet në vlerë e kanë shënuar produktet e lëkurës me 26,5%, pasuar nga produktet kimike me një rritje prej 7%. Ekportet e ushqimeve po ashtu janë rritur në vlerë me 1.6%, ndërkohë me rënie paraqiten materialet e ndërtimit, prodhimet e drurit dhe hidrokarburet me 40.5%, 24.7% dhe 24.4% respektivisht.

Ndërkohë, nga ana tjetër, nëse analizojmë ndryshimin vjetror të importeve në vlerë shohim se rënien më të lartë e kanë regjistruar “Minerale, lëndë djegëse” me 46%, ndërsa rritje kanë shënuar “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 24.8%.

Sa i përket kontributit të grupeve kryesore gjatë muajit prill në uljen e eksporteve prej 19.2%, kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me 10.2 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 4.6 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me 3.8 pikë përqindje. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me 0.2 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me 0.2 pikë përqindje.

Për importet ndërkohë, në rënien e tyre prej 3.9% kanë ndikuar negativisht grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 7.7 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 0.9 pikë përqindje dhe “Prodhime druri dhe letre” me 0.9 pikë përqindje. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 4.8 pikë përqindje dhe “Materiale ndërtimi dhe metale ” me 1.0 pikë përqindje.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 60.1%, të gjithë tregtisë. Në Prill 2023, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75.4% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 53.2% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia me 32.2%, Kina me 7.7%, Greqia me 6.8% dhe Turqia me 6.7%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Inflacioni, në 5% sipas Eurostat/ Më i lartë se matjet e Instat, por poshtë mesatares së unionit dhe rajonit për muajin prill

Postimi mëparshëm

Turizmi “zgjeron” rritjen në mars/ Rreth 40% më shumë vizitorë të huaj se vitin e kaluar në hotele

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.