Turizëm

Turistët, rekord shpenzimesh në Shqipëri/ 1.1 mld euro 6 muajt e parë të vitit, dy herë mbi mesataren historike, 442 euro për frymë

0

Të dhënat më të fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se të huajt në Shqipëri kanë shpenzuar një shifër rekord prej 1.13 miliardë eurosh në 6 muajt e parë të këtij viti. Rritja krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të kaluara është e dukshme, madje duke tejkaluar ndjeshëm edhe nivelet e vitit 2019. Gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, të huajt shpenzonin në Shqipëri rreth 687 milionë euro. Pra, këtë vit kemi të bëjmë me një rritje prej 64%. Krahasuar me vitin 2019-të ndërkohë, atë para pandemisë, kur shpenzimet nga të huajt në 6 muajt e parë të vitit fiksoheshin pranë 854 milionë euro, rritja fiksohet pranë 32.4%, sinjalizojnë shifrat zyrtare, të analizuara dhe përpunuara nga `Scan Intel`. Që prej vitit 2008 kur edhe të dhënat janë publike, shifra e 6-mujorit të këtij viti është më e larta e regjistruar ndonjëherë.

Ndërkohë, nëse krahasimin do ta bënim me mesataren historike që prej vitit 2008, shohim se këtë vit, shpenzimet e të huajve në vendin tonë kanë qenë 100.8% më të larta se 14 vitet paraardhëse. Këto të dhëna, por edhe shifrat e turistëve që kanë vizituar vendin këtë vit tregojnë jo vetëm një rimëkëmbje të ndjeshme të turizmit pas pandemisë, por madje edhe se janë tejkaluar shifrat e vitit 2019-të, vit i cili shënonte rekordin absolut të sektorit.

Nga ana tjetër, të njëjtat shifra flasin edhe për një nivel rekord të shpenzimeve të shqiptarëve jashtë vendit, me plot 793.5 milionë euro gjatë 6 muajve të parë të këtij viti. Por, krahasuar me shifrat e shpenzimeve nga të huajt në Shqipëri, rritja është më e ulët. Krahasuar me mesataren historike që prej vitit 2008, shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit janë rritur me 60.3%.

Bilanci neto ndërkohë, pra mes valutës që ka ardhur në Shqipëri nga turizmi dhe asaj që ka dalë fiksohet pranë 337.5 milionë eurove, që është gjithashtu rezultati më pozitiv i regjistruar ndonjëherë. Kujtojmë se deri në vitin 2014-të, ky bilanc ka qenë kryesisht negativ, pra është harxhuar më shumë jashtë vendit se çkanë shpenzuar të huajt te ne. Tendenca ka ndryshuar vetëm pas vitit 2015, për të kulmuar këtë vit. Gjatë vitit 2019-të, atë para pandemisë, bilanci neti fikoshet pranë 157 milionë eurove, dhe pranë 288 milionë eurove gjatë vitit 2021.

Në rast se analizën do ta bënim për frymë shohim të njëjtën situatë. Kështu, referuar numrit total të shtetasve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë gjatë 6 muajve të parë të vitit, për një total prej rreth 2.55 milionë, llogarisim se shpenzimet mesatare për frymë të të huajve në vendin tonë këtë vit fiksohen pranë 442 eurove. Për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ky shpenzim fiksohej pranë 407 eurove, ndërkohë që në vitin 2019 ishte rreth 399 euro.

Shifrat tregojnë qartë se turizmi po i drejtohet vitit më të mirë të regjistruar ndonjëherë, të paktën referuar shifrave. Rritja e ndjeshme e shpenzimeve nga të huajt në vendin tonë duket të jetë jo vetëm rrjedhojë e rritjes së flukseve hyrëse, por edhe rrjedhojë e rritjes së çmimeve dhe me shumë gjasa edhe si pasojë e rritjes së kohëzgjatjes së qëndrimit të tyre në vendin tonë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Bie papunësia, por vetëm për burrat/ Pranë 11.1%. Rritet për të rinjtë dhe për gratë dhe vajzat

Postimi mëparshëm

Emigrantët sjellin një pagë shtesë në muaj/ Rekord këtë vit me remitancat, 320 euro mesatarisht për çdo familje, 376 mln euro në 6 muaj

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.