Emigracioni

Emigrantët po “amortizojnë” krizën e familjeve/ Remitancat arrijnë rekordin historik këtë vit, 216 milionë euro në 3 muaj

0

Gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, remitancat kanë regjistruar nivelin e 4-tët më ta lartë histori, pas tremujorit të fundi të vitit të kaluar, atij të 2-të dhe të 4-tët të vitit 2009, me plot 216 milionë euro dërgesa nga emigrantët në 3 muaj, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë. Emigrantët vijojnë të jenë kështu një mbështetje mjaft e fortë për ekonomitë familjare në vendin tonë.

Nga ana tjetër, nga analiza e shifrave nga Scan Intel, rezulton se në terma vjetorë, pra krahasuar me tremujorët e tretë të viteve paraardhës, ky vit shënon një rekord historik sa i përket remitancave për këtë periudhë kohore. Vetëm në vitin e largët 2008, kjo shifër ka qenë në pragun e 200 milionë eurove, për ta kaluar për herë të parë pas 14 vitesh, vetëm këtë vit. Kujtojmë se kriza financiare globale e viteve 2008-2009 solli një goditje të fortë për remitancat drejt vendit tonë, dhe rimëkëmbja ka ardhur sidomos gjatë 2-3 viteve të fundit, me pandeminë dhe krizën e çmimeve. Kjo e fundit duket se nuk i ka ndaluar emigrantët shqiptarë të dërgojnë para drejt të afërmve të tyre në Shqipëri. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar, shifrat sinjalizojnë se remitancat këtë vit janë rritur me plot 8.3%.

Edhe në rast se i analizojmë të dhënat përgjatë 9 muajve të parë të vitit shohim se në 2022-shin kemi të bëjmë me një rekord historik, pas 14 vitesh. Janë plot 592 milionë euro që emigrantët kanë dërguar në Shqipëri gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, të paktën referuar kanaleve zyrtare të dërgimit të parave. Vetëm gjatë 9 muajve të pare vitit 2008, kjo shifër ka qenë më e lartë. Një vit më parë, gjatë së njëjtës periudhë kohore, kjo shifër fiksohej në 539 milionë euro. Pra kemi të bëjmë me një rritje prej 9.8%, ose rreth 53 milionë euro. Megjithëse kriza e çmimeve ka prekur thuajse çdo cep të globit, dhe sidomos vendet europiane, ku ka një përqëndrim të lartë të emigrantëve shqiptarë, sërish këta të fundit kanë sjellë për familjet dhe të afërmit e tyre mbi 50 milionë euro më shumë se viti i kaluar, duke u konfirmuar si një shtyllë mbështetjeje për familjet, sidomos në kohë të vështira.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Borxhi i Jashtëm Bruto shkon në 9.94 mld euro/ Rritet me thuajse 1 mld euro në një vit, arrin në 3560 euro për frymë

Postimi mëparshëm

Rekord edhe për të ardhurat nga puna jashtë/ Arrijnë në 108 mln euro për TIII, si kurrë më parë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.