Sipas të dhënave të `Eurostat` shqiptarët shpenzojnë rreth 145 euro për person kur udhëtojnë, qoftë jashtë apo qoftë brenda vendit. Të dhënat e fundit të përditësuara për Shqipërinë i referohen vitit 2020 si të plotë. Në shifrën prej 145 eurosh përfshihen të gjitha shpenzimet për udhëtimin, me përjashtim të mallrave të qëndrueshëm dhe atyre me vlerë, pra blerje të mëdha, që mund të jenë personale apo dhurata. Nga ana tjetër, shifra i referohet çdo udhëtimi mbi 1 natë, për çfarëdolloj qëllimi, që do të thotë se mund të jetë si 2 netë ashtu edhe 14 netë apo më shumë.
Ndërkohë që për shqiptarët shpenzimi mesatar për një udhëtim fiksohet në 145 euro, për një europian mesatar fiksohet në 306 euro. Shqipëria renditet si vendi i 5-të nga fundit në Europë sa i përket shpenzimeve për udhëtim. Vetëm Letonia, Rumania, Maqedonia e Veriut dhe Çekia regjistrojnë një shifër më të ulët shpenzimesh për udhëtim për qytetarët e tyre se Shqipëria. Për Çekinë, vendin e fundit në këtë renditje, shifra fiksohet pranë 113 eurove për udhëtim.
Por, këto të dhëna i referohen udhëtimeve në çdo destinacion, pra edhe brenda vendit. Nëse shohim të dhënat që i referohen vetëm udhëtimeve jashtë, kuptojmë se shifra më shumë se dy-fishohet. Në rastin e udhëtimeve të shqiptarëve jashtë vendit, mesatarisht shpenzimi për frymë ngjitet në 308 euro, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit europian fiksohet pranë 728 eurove. Në këtë rast, renditja na pozicionon në vend të 4-tët nga fundit në kontinentin e vjetër. Të vetmit që shpenzojnë më pak se shqiptarët në udhëtimet e tyre jashtë vendit janë hungarezët, qytetarët e Maqedonisë së Veriut si dhe sllovenët. Për këta të fundit një udhëtim jashtë kushton mesatarisht 232 euro për frymë.
Në rast se do të fokusohemi te udhëtimet më të gjata, mbi 4 netë, shohim se shqiptarët jashtë shpenzojnë mesatarisht 405 euro për frymë, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian fiksohet në mbi 900 euro për frymë.
Ndër të tjera, shifrat na japin një panoramë të qartë edhe sa i përket shpenzimeve të udhëtimeve sipas gjinisë. Meshkujt shqiptar shpenzojnë më shumë se femrat kur udhëtojnë jashtë, 353 euro për frymë, kundrejt 260 eurove për frymë. Edhe sa i përket nivelit të arsimit ka diferenca të ndjeshme në shpenzime. Për ata me arsim të lartë mesatarisht shpenzimet për frymë fiksohen në 407 euro dhe për ata me arsim të mesëm pranë 227 eurove.
Sa i takon ndarjes së shpenzimeve për udhëtime jashtë, statistikat e Eurostat, të analizuara nga “Scan Intel” tregojnë se, pjesën dërrmuese e zënë restorantet dhe kafet, me 138 euro nga 308 në total, ose 45% të totalit. Më pas ndjek akomodimi, me 84 euro, ose 27%. Shpenzime të tjera ekstra vijojnë me 67 euro, ose rreth 22%. Transporti është zëri që ka peshën më të ulët, me vetëm 20 euro për frymë, ose 6.5%, çka sinjalizon se pjesa dërrmuese e udhëtimeve jashtë të shqiptarëve kanë destinacion vendet fqinje, ku transporti me automjetin personal është më i aksesueshëm.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments