Ekonomi

Çmimet nën ”kontroll” në muajin shkurt/ Inflacioni vlerësohet në 2.6%, poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë

0

Në më shumë se dy vite inflacioni për herë të parë ka rënë nën nivelin e objektivit të Bankës së Shqipërisë që është 3%. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT për muajin Shkurt 2024, inflacioni fiksohet në 2.6%. Rikujtojmë se një vit më parë ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të  konsumit ishte 7.1%.

Krahasuar me muajin Shkurt të vitit 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 4.9%, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 4.7%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3.8%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.7%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3.5%, “Veshje dhe këpucë” me 3.4%. Nga ana tjetër, për grupet si  “Ushqime dhe pije joalkoolike” “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “Shërbimi arsimor” dhe “Shëndeti, norma e inflacionit ishte më e ulët se 3%. Nga të dhënat gjatë kësaj periudhe çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 1.6%.

Përsa  i përket produkteve të shportës së konsumatorit  nga të dhënat rezulton se çmimet e nëngrupit të ushqimeve si  “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 4.7%, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet” me 4.6%, “mish” dhe “peshk”me 4.2% secili, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 3.6%, dhe  “fruta” me 2.9%. Çmimet e zarzavateve duket se në muajin shkurt janë shtrenjtuar ndjeshëm më pak se në muajt paraardhës.

“Scan Intel’’ ka analizuar gjithashtu të dhënat për të kuptuar sesi kanë ndikuar grupet kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit të analizuar më lart. Rritja vjetore e çmimeve në muajin Shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0.96 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.45 pikë përqindje. Gjithashtu, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me 0.35 pikë përqindje, çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0.19 pikë përqindje, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me 0.18 pikë përqindje, çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me 0.17 pikë përqindje, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me 0.12 pikë përqindje, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me 0.11 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shëndeti” me 0.07 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me 0.06 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Komunikimi” me 0.01 pikë përqindje. Ndërkohë, transporti ka kontribuar negativisht me 0.10 pikë përqindje.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Gratë, biznesi dhe ligji në Shqipëri/ Raporti i BB: Renditemi në vend të 41 në botë, nga 190 vende gjithsej

Postimi mëparshëm

“Makinat nga Europa” në fokus të blerësve shqiptar/ Në dy muaj u regjistruan mbi 13,500 automjete, rritet interesi për elektriket dhe me 0 km

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.