Tregu i Punës

Cilat biznese po “vuajnë” për punonjës? Në biznesin e vogël, 8 në 10 vende pune nuk mbushen. Në administratë dhe organizata mbushen mbi 80% e pozicioneve

0

Padiskutim që një prej problematikeve më të mëdha të biznesit gjatë viteve të fundit, që vijon edhe thellohet dita-ditës është mungesa e forcës së punës. Madje, në shumë raste kërkesat e biznesit janë tashmë të fokusuara jo më te punëtorët e kualifikuar, por vetëm për të gjetur staf. Faktorët e ndryshëm demografik, si plakja e popullsisë, por sidomos emigracioni i lartë i të rinjve kanë sjellë pikërisht një situatë ku punë ka, por nuk gjenden njerëzit. “Scan Intel” ka analizuar shifrat zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Punësimit për të kuptuar se cilët sektorë janë ata që po “vuajnë” më shumë të gjejnë staf. Të dhënat në këtë analizë i referohen periudhës janar-shtator të vitit të kaluar dhe vendeve të lira të punës së shpalluara nëpërmjet zyrave të punës, ku përfaqësimi është domethënës.

Kështu, në total, gjatë kësaj periudhe kohore janë shpallur rreth 15 mijë vende të lira punë, ndërkohë që rreth 4 mijë vende të lira ishin të mbartura nga viti paraardhës. Pra, bëhet fjalë për një total prej rreth 19 mijë vendesh të lira puna. Në fund të shtatorit, duke hequr vendet që u plotësuan nga zyrat e punës, ato që janë gjetur vetë nga punëdhënësi dhe ato vende që janë ç`regjistruar, vendet e paplotësuara figurojnë mbi 6 mijë, ose 31.2% e totalit. Thënë më shkurt, për 1 në 3 pozicione nuk është gjetur stafi.

Por, kjo normë nuk është aspak e njëjtë për sektorë të ndryshëm, pasi disa janë më problematik se të tjerët. Në vend të parë, referuar shifrave për 9-mujorin e vitit të kaluar, si sektori më problematik për të gjetur punonjës duket të jetë ai i “Aktiviteteve të familjeve si punëdhënës”. Në fund të periudhës, për këtë sektor, 81.4% e vendeve të shpallura të punës ishin ende të lira. Ky aktivitet i referohet biznesit të vogël familjar, që është edhe pjesa dërrmuese e sipërmarrjeve në Shqipëri, si numër, dhe që ka një impakt të drejtpërdrejtë në ekonomitë familjare, duke qenë se përbën burimin kryesor të të ardhurave. Pra, për bizneset familjare ndër 10 vende të lira pune që shpallin, vetëm 2 plotësohen, dhe 8 të tjera mbeten ende të lira.

Ndjek më pas në renditje “Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike”, me thuaje 70% të vendeve të punës ende të lira në fund të periudhës. Problematik janë edhe sektorët e “Aktiviteteve financiare dhe të Sigurimit” me thuajse 60% të vendeve të punës së kërkuara ende të lira, “Pasuritë e paluajtshme”, me rreth 55% të vendeve të punës ende të disponueshme pas më shumë se 9 muajsh. Vijon në renditje “Bujqësia” me gati gjysmën e vendeve të punës së shpallura, të lira ende. Edhe transporti, informacioni dhe komunikacioni, arsimi, shëndetësia, arte/argëtim/çlodhje dhe industria përpunuese janë problematike, duke qëndruar mbi mesataren e përgjithshme.

Nga kahu i kundërt, ndër sektorët me peshë, shohim se tregtia, ndërtimi dhe industria nxjerrëse e kanë disi më të thjeshtë të gjejnë punëtore. Më pak problematik si sektor duket të jetë “Aktiviteti i organizatave dhe organizmave ndërkombëtare”, ku vetëm 16.7% e pozicioneve të lira të punës ishin ende të lira në fund të periudhës, por në këtë rast kemi të bëjmë me vlera absolute mjaft të vogla. Gjithashtu, akomodimi dhe shërbimi ushqimor rezulton ndër ato aktivitete më pak problematike, me vetëm 17.8% të vendeve të punës të lira ende, ashtu si administrata publike.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rritet me 9.4% numri i mjeteve rrugore në Shqipëri/ “Benzi” kryeson listën si më e preferuara, “Toyota” me rritjen më të lartë gjatë vitit 2021

Postimi mëparshëm

Indeksi i urisë, Shqipëria “në vend numëro”/ Asnjë ndryshim në pikëzim, renditemi të fundit në rajon

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.