Sociale

Azilantët në Shqipëri, vetëm nga Afganistani/ Shifrat e 2021, 98.6% Afganë, 1% Sirianë

0

2.533 persona është numri i azilkërkuesve që kanë hyrë në Shqipëri përgjatë vitit 2021, referuar të dhënave të Drejtorisë së Azilit të të Huajve dhe Shtetësisë, pranë Ministrisë së Brendshme. Kështu, 2.498 shtetas kanë si vend origjine Afganistanin dhe 19 janë Sirianë. Sipas shifrave të analizuara nga “Scan Intel”, regjistrohen 301 ose 13,5% kërkesa më shumë, nga 2,232 azilkërkues që rezultonin një vit më parë. Shifrat tregojnë gjithashtu se ky trend i azilantëve që e konsiderojnë Shqipërinë si vendqëndrim të përkohshëm apo “shtëpi të dytë”, ka ardhur gjithnjë dhe në rritje.

Gjatë vjeshtës së vitit të kaluar, qeveria shqiptare dakordësoi të strehojë një pjesë të shtetasve Afganë që arritën të largohen nga vendi, kryesisht opozitarë të regjimin e ri të instaluar. Sa më sipër e reflektojnë edhe shifrat, duke qenë se përgjatë vitit 2021, shtetasit nga Afganistani përbëjnë 98.6% të totalit të azilkërkuesve në vendin tonë. Ndërkohë që përpara marrëveshjes për strehimin e tyre, këta të fundit përbënin vetëm 14.1% ose 316 individë përkundrejt totalit të azilkërkuesve në vend; nga ku 54,4 % e azilkërkuesve ishin me origjinë nga Siria dhe Iraku, respektivisht 876 dhe 339 persona dhe 297 nga Maroku.

Nga krahu tjetër, janë 711 persona që kanë fituar shtetësi shqiptare gjatë 2021-it(73,8% nga Kosova, 7,3 % nga Turqia dhe 5,9 % nga Siria). Referuar të dhënave më të fundit të publikuara nga INSTAT, ata i përkasin grupmoshës 30-39 vjeç(31,5%), 20-29 vjeç(22,9%), dhe 40-49 vjeç(19,3%). Pra, më shumë se gjysma i përkasin grupmoshës deri në 40 vjeç. Ndërkohë që janë po 724 persona të cilët e kanë humbur ose braktisur shtetësinë shqiptare, prej të cilëve 38,8% janë të grupmoshës 30-39 vjeç, të ndjekur nga grupmosha 40-49 vjeç dhe 20-29 vjeç me 23,9% dhe 18,6% respektivisht.

Të dhënat e azilkërkuesve në vendin tonë për 2021-in tregojnë se, ndryshe nga vitet e kaluara, është ulur tendenca e azilkërkuesve sporadik, ata që kanë ardhur nëpërmjet kufirit, kryesisht nga Greqia. Gjatë vitit 2021, shifrat tregojnë se origjina e azilkërkuesve në vendin tonë është përqëndruar në vetëm 2 shtete; Afganistan dhe Siri; krahasimisht me vitet e kaluara ku numri i azikërkuesve nga vendet e tjera, kryesisht Siri dhe Irak ka qenë ndjeshëm më i lartë, duke kulmuar në vitet 2018-2019 me 6557 individë që kanë kërkuar strehim në vendin tonë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Prodhimi bujqësor dhe blegtoral, 12.6% rritje çmimesh/ Analiza e shifrave për periudhën 2015-2021, nga drithërat te mishi

Postimi mëparshëm

Bien normat e interesit të kredive/ Për individët dhe biznesin, më e theksuar rënia për blerje banese në euro

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.