Teknologji

Cilat ndërmarrje shesin më shumë produkte online? Akomodimi dhe shërbimi ushqimor kanë peshën më të madhe të tregtisë elektronike

0

Të punësuarit të cilët kanë përdorur kompjuterin me akses në internet për qëllime pune gjatë vitit 2024 kanë përshpejtuar ritmin e rritjes, nëse do ta krahasonim me një vit më parë. Sipas të dhënave të ‘Institutit të Statistikave’, mbi përdorimin e teknologjisë së informacionit në ndërmarrje, punonjësit që kanë përdorur kompjuter me akses në internet për qëllime pune përbëjnë 32.4% të të punësuarve gjithsej të ndërmarrjeve, nga 29.9% që rezultuan në vitin 2023. Pra, kemi të bëjmë më një rritje prej 2.5 pikë.

Ndërmarrjet me 10 e më shumë të punësuar që kanë përdorur kompjuter me akses në internet për qëllime pune gjatë vitit 2024, përfaqësojnë 99.3% të ndërmarrjeve, nga 99.1% që rezultuan në vitin 2023. Gjatë vitit 2024, përqindja e ndërmarrjeve të cilat kanë specialist të fushës së teknologjisë së informacionit dhe komunikimit është 29.7%, nga 28.4% që rezultoi në vitin 2023.

Megjithatë, edhe pse është shënuar një rritje, sipas të dhënave të “Agjencisë Europiane të Statistikave” të analizuara më herët nga “Scan Intel”, rreth 68% e ndërmarrjeve shqiptare që kanë rekrutuar ose janë përpjekur të rekrutojnë specialistë të teknologjisë së informacioni kanë hasur vështirësi.

Por në cilin aktivitet ekonomik është përqindja më e lartë e të punësuarve që përdorin kompjuter për qëllime pune? Sipas INSTAT, përqindja më e lartë e të punësuarve që përdorin kompjuter me akses në internet vërehet në aktivitetin e informacionit dhe komunikimit me 74.8%, e ndjekur nga aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 65.7% dhe shërbimet administrative dhe mbështetëse me 59.1%.

Nga të dhënat e reja për vitin aktual, 24.5% e ndërmarrjeve kanë shitur produkte/shërbime nëpërmjet faqes së internetit, aplikacioneve të dedikuara, faqeve të internetit e-commerce dhe aplikacioneve të përdorura nga ndërmarrje të ndryshme për tregti të produkteve. Ky tregues ka shënuar një rritje të konsiderueshme prej 9.7%, krahasuar me vitin 2023.

Peshën më të madhe të tregtisë elektronike e zënë ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në fushën e Akomodimit dhe Shërbimit Ushqimor me 45.3%, pasuar nga aktivitetet e Informacionit dhe Komunikimit me 38.0% dhe Tregtia me shumicë dhe me pakicë me 36.2%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Turizmi në Shqipëri arrin kulmin në Korrik/ Vizitorët e huaj udhëheqin rritjen me 53.1%. U vendosën kryesisht në zonat bregdetare

Postimi mëparshëm

Comments

Comments are closed.