Ndërtim

A janë “frenuar” ndërtimet në zonat bregdetare?/ Po! Të dhënat e INSTAT tregojnë se Lezha ka shënuar rënien më të thellë

0

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimeve të miratuara në të gjithë vendin ka vijuar të jetë e lartë edhe në tremujorin e dytë të vitit 2024, por në disa qarqë vihen re diferenca interesante nëse e krahasojmë me të njejtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave të INSTAT, sipërfaqja e miratuar është 844.137 m2, nga 652.136 m2 që ishte në tremujorin e dytë 2023, duke shënuar një rritje prej 29.4%, edhe pse numri total i lejeve paraqitet më i ulët.

Po të analizojmë qytetet bregdetare shohim se në një pjesë të mirë prej tyre ka rënë edhe numri i lejeve, por edhe numri i sipërfaqjes së dhënë për këto leje. Për shembull, qarku i Lezhës ka pësuar një rënie me 75%, ai i Vlorës me 40%, ndërsa ai i Durrësit ka pësuar një rënie me 12%, gjithmonë nësë i referohemi treguesit të sipërfaqjes.

Në nivel qarku, Tirana shfaqet përsëri si lider për nga volumi i ndërtimit. Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2024, Tirana regjistroi një sipërfaqe të miratuar prej 460,872 m², një rritje prej 5.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në të kundërt, qarku i Beratit shënoi një rritje të jashtëzakonshme gjatë këtij tremujori. Sipërfaqja e lejeve të miratuara për ndërtimet e reja u rrit me 782%, duke kaluar nga 1,077 m² në tremujorin e dytë të vitit 2023 në 9,502 m² në tremujorin e dytë të vitit 2024. Po ashtu edhe Gjirokastra dhe Korça paraqiten me rritje, në terma vjetorë rritja konstatohet të jetë 67% dhe 44% respektivisht. Kjo rritje e sipërfaqeve të miratuara lidhet edhe me rritjen e investimit për shkak të interesit të shtuar të vizitorëve.

Theksojmë se rritja e ndërtimit të apartamenteve të reja ka ndikuar drejtpërdrejt në kërkesën për mobilime, gjë që është reflektuar në statistikat e importit për muajt e fundit, ku grupi i mobilieve shënoi një rritje rekord prej 69% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vlera importe për këtë kategori arriti në 1.5 miliardë lekë. Me numrin në rritje të lejeve të ndërtimit dhe zgjerimin e tregut të banesave të reja, kjo kërkesë pritet të vazhdojë të rritet, duke kontribuar në një cikël pozitiv të zhvillimit ekonomik.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Çfarë ndodhi me vlerën e Kombëtares Shqiptare pas Euro 2024? Regjistroi rënie kryesisht në mesfushë. Totali arriti në 95.3 milionë euro

Postimi mëparshëm

Shqipëria, e 5-ta në Europë për pritshmëritë e punësimit/ EUROSTAT: Por, paraqitet rënie e lehtë e treguesit në gusht

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.