Ekonomi

Inflacioni sipas Eurostat në 7.2%/ Shqipëria mes vendeve me rritjen më të ulët të çmimeve

0

Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit rezulton në 7.2% në muajin korrik të këtij viti. Ndërkohë, referuar Institutit të Statistikave mbi inflacionin, po për të njejtin muaj ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit rezultonte 7.5%. Shifrat sinjalizojnë se mesatarja e rritjes vjetore të çmimeve në Bashkimin Europian për muajin korrik është 9.8%, pra dukshëm më e lartë se niveli i inflacionit në vendin tonë. Shqipëria gjendet e renditur në vend të katërt nga fundi krahasuar me vendet e Europës. Vendet Baltike, Estonia dhe Letonia, vijojnë të kryesojnë në listën e shteteve me rritjen më të lartë të çmimeve. Nga ana tjetër, në fund renditen vende si Malta dhe Islanda. Fakti që Shqipëria regjistron nivel më ulët të inflacionit sipas metodologjisë së EUROSTAT vjen si pasojë e peshës që zënë zërat e ndryshëm të shportës, kjo përmendur edhe më herët nga “Scan Intel” (kliko këtu).

Rritja më e madhe e çmimeve prej 14,5% vërehet në grupin “Transporti”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 12,4%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4,5%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4,4%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 4,2%, “Veshje dhe këpucë” me 3,0%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,8%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2,0%, “Shërbimi arsimor” me 1,2%, “Shëndeti” me 1,1%. “Komunikimi” me 0,7% dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,6%.

Në muajin Korrik 2022, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,6%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,0%, pasuar nga grupet “Shëndeti” me 0,8%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,7%, “Veshje dhe këpucë” me 0,5%, “Shërbimi arsimor” me 0,3%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje”, “Komunikimi” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,2% secili. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,1%.

Ndryshimi vjetor i IHÇK sipas Shteteve, Korrik 2022

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Inflacioni “tkurr” tregtinë e jashtme/ Eksportet dhe importet rriten në vlerë, por pësojnë rënie në volum

Postimi mëparshëm

Turizmi, shifrat për qershorin/ Mbi 100 mijë netë qëndrime më shumë në strukturat akomoduese

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.