Real Estate

Tregu “me letra” i qiradhënies vlen €273 milionë/ Shifrat e 2022-shit flasin për një rekord të ri historik, në rritje me 63% krahasuar me 2015-tën

0

Janë plot 4.62 miliardë lekë që janë mbledhur nga tatimi mbi të ardhurat nga qiraja gjatë vitit 2022, bazuar në shifrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve sa i përket ecurisë së të ardhurave përgjatë vitit të kaluar. Por, ndërkohë që qiradhënia tatohet me 15%, nga kjo shifër mund të kuptojmë se sa vlen ky treg në vendin tonë. Për vitin 2022 rezulton se tregu formal i qiradhënies në Shqipëri vlen plot 30.8 miliardë lekë, që përkthehen në 273 milionë euro, nga të cilat rreth 26 miliardë lekë, ose rreth 230 milionë euro janë fitim për qytetarët, bizneset apo administratën publike, në varësi të pronës së dhënë me qira.

“Scan Intel” i ka analizuar shifrat edhe ndër vite, për të kuptuar se si ka ndryshuar tendenca. Kështu, në rast se shohim shifrat e vitit 2021, pra atë pararendës, kuptojmë se me një vlerë tatami mbi të ardhurat nga qiraja pranë 4.27 miliardë lekëve, totali i tregut fiksohet pranë 28.5 miliardë lekëve, ose rreth 252 milionë euro. Pra, ky treg ka xhiruar diçka më shumë se 20 milionë euro më tepër në 2022-shin, krahasuar me 2021-shin. Me përjashtime të vogla, të paktën që prej vitit 2015, rritja nga viti në vit duket të jetë progresive dhe e qendrueshme. Njëri prej këtyre përjashtimeve duket të jetë edhe vitit 2020, ai i pandemisë, kur vlente 25.5 miliardë lekë, ose 226 milionë euro, në rënie krahasuar me 2019-tën, kur vlente 27 miliardë lekë, ose rreth 239 milionë euro. Në vitin 2018-të ky treg vlerësohet të ketë qarkulluar rreth 229 milionë euro, në 2017-tën rreth 222 milionë euro, në 2016-tën rreth 224 milionë euro, dhe në 2015-tën vetëm 167 milionë euro.

Pra, siç e tregojnë qartë shifrat, nga viti 2015 në vitin 2022 rritja është e ndjeshme, me plot 106 milionë euro, ose me rreth 63%. Kjo rritje nuk është vetëm tendencë e zgjerimit të tregut, por edhe rritjes së çmimeve, apo ndoshta edhe luftës ndaj informalitetit. Ndërkohë, nuk duhet anashkaluar aspak fakti se një pjesë e madhe e tregut vijon të mbetet informale, për qiratë afat-gjatë, por edhe për qiratë afat-shkurtër, ose ato ditore, në platformat si “Airbnb” apo “Booking”. Vetëm Tirana ka mbi 1 mijë prona të listuara në njërën prej këtyre platformave, “Airbnb”, me një çmim mesatar prej 87 dollarësh nata. Kryesisht, pjesa e formalizuar e tregut është ajo që shërben për qëllime komerciale, pra biznesi, ndërkohë që qiradhënia mes qytetarëve, për ambiente banimi është në pjesën dërrmuese informale, çka bën që të mos reflektohet në shifrën totale prej 273 milionë eurosh. Kjo e fundit përfaqëson në masën më të madhe qiradhënien për biznes.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Indeksi i Njohurive, Shqipëria e 68-ta në botë / Përkeqësohet krahasuar me edicionin e vitit 2020, renditet e fundit në rajon

Postimi mëparshëm

18 aplikime për një punë në shtet/ 31 vjeç mosha mesatare e aplikantit, 38 vjeç për t`u ngritur në detyrë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.