EkonomiTregti

Tregtia e jashtme zbret me “këmbë në tokë”/ Shifrat “zhvishen” nga inflacioni, eksportet dhe importet në shkurt u rritën me vetëm 2.8% dhe 1.1%

0

Shifrat e tregtisë së jashtme për shkurtin tregojnë se eksportet janë rritur me vetëm 2.8% krahasuar me vitin e kaluar, duke u fiksuar në 38 miliardë lekë, ndërsa importet janë rritur me 1.1%, duke u regjistruar pranë 69 miliardë lekëve, krahasuar me shkurtin e një viti më parë, kur kriza e çmimeve sapo kishte nisur. Të dhënat e tregtisë së jashtme për shkurtin, të fryra ndjeshëm në një vit krize si pasojë e çmimeve, duket se tashmë kanë zbritur me “këmbë në tokë”.

Kjo gjë vërtetohet edhe nga fakti se në volum, pra në peshë eksportet kanë rënë me 4.1% gjatë shkurtit, krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar. Ndryshe nga muajt e tjerë pararendës, diferenca e vogël mes ndryshimit vjetor në peshë dhe në vlerë, tregon se efekti i inflacioni po i “shfryn” shifrat e tregtisë së jashtme. Kështu, në peshë, rënien më të madhe e regjistrojnë “Produktet kimike dhe plastike”, me 47.9% rënie, dhe ndiqen nga grupi “prodhimi druri dhe letre”, me 25.8% rënie të eksporteve në peshë. Ushqimet ndërkohë janë rritur me plot 11.7%, ndërkohë që në rritje regjistrohen edhe materialet e ndërtimit dhe metalet, si dhe makineritë e pjesët e këmbimit. Në drejtim të importeve, shifrat tregojnë se, ato janë rritur edhe në volum, me plot 10.5%, paçka se në vlerë rritja është vetëm 1.1%. Kjo duket të jetë rrjedhojë kryesisht e rritjes prej 48.1% të importit të hidrokarbureve, si pasojë e rënies së ndjeshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Edhe materialet e ndërtimit janë rritur në import me 25.2% në vlerë, sinjalizojnë shifrat zyrtare, të analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel”.

Sa i përket kontributit të grupeve kryesore në rritjen e eksporteve në vlerë me 2.8% gjatë shkurtit, shifrat sinjalizojnë se, ndikimin më të madh e ka dhënë grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 2.6 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me 2 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me 1.2 pikë përqindje. Ndërsa grupet që kanë dhënë kontribut negativ janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, me 1.9 pikë përqindje, si dhe “Produkte kimike dhe plastike” me 1 pikë përqindje, për arsye të rënies së çmimeve të këtyre produkteve gjatë muajve të fundit, që është reflektuar edhe në shifrat e tregtisë së jashtme, duke qenë se shprehen në vlerë dhe jo në volum.

Në drejtim të importeve ndërkohë, kontributin më të madh në rritjen me 1.1 pikë përqindje gjatë shkurtit e kanë dhënë grupet: Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 5.4 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me 1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 0.8 pikë përqindje. Nga ana tjetër grupet me kontribut negativ janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3.8 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2.0 pikë përqindje si dhe “Ushqime, pije, duhan” me -1.1 pikë përqindje.

Sa i përket tregtisë së jashtme sipas vendeve partnere, gjatë shkurtit ndryshimet më të mëdha janë vërë re me Greqinë, në rritje me 92.6%, Spanjën me 640% dhe Austrinë me 34.6% rritje në drejtim të eksporteve, si dhe me Italinë, Gjermaninë dhe Kosovën në rënie të ndjeshme. Me Kosovën eksportet shqiptare gjatë shkurtit kanë rënë me plot 20.4% tregojnë shifrat e Institutit të Statistikave. Për importet ndërkohë, Italia, me 0.9%, Kina me 63.5% dhe Gjermania me 8.1% regjistrojnë rritjen më të madhe, ndërsa në rënie janë: Turqia, Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Eurostat “zbut” inflacionin/ Çmimet u rritën më pak se në Europë, por ushqimet ngjiten me 11.8% përgjatë muajit shkurt

Postimi mëparshëm

Turizmi e nisi vitin me “këmbë të mbarë” / 68% më shumë të huaj nëpër hotele në janar

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.