Ekonomi

INSTAT rivlerëson rritjen ekonomike/ Ndryshon metodologjia për matjen e PBB-së. Rritja për vitin 2023 vlerësohet në 3.94%

0

Të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave, që i referohen Produktit të Brendshëm Bruto me vlerësime finale për vitin 2022 dhe gjysmë-finale për vitin 2023, bëjnë me dije se gjatë vitit 2023 ekonomia shqiptare, krahasuar me vitin 2022, shënoi rritje në terma nominalë me 10.24% dhe në terma realë, ose në volum shënoi një rritje prej 3.94%. Në vitin 2022, rritja e PBB-së në terma realë është 4.83%, krahasuar me vitin 2021.

Këto vlerësime vijnë pasi “Instituti i Statistikave” ka rishikuar të dhënat e PBB-së duke i paraqitur ato me përmirësime në burime dhe metodologji bazuar në Kodin e Praktikave të Statistikave Europiane dhe Politikën e Harmonizuar Europiane për Rishikimin e Statistikave Makroekonomike.

Referuar të dhënave, shohim se Instat ka zhvlerësuar rritjen ekonomike të vitit 2022, për të cilin ishin dhe rezultatet finale. Para rishikimit rritja reale në vitin 2022 vlerësohej në 4.86%, ndërsa pas rishikimi vlerësohet në 4.83%. Ndërkohë, nëse flasim për vitin e kaluar, të dhënat thonë se rritja reale e Prodhimit të Brendshëm Bruto para rishikimit llogaritej në 3.45%, ndërsa pas rishikimit  llogaritet me 3.94%, pra 0.45 pikë më shumë. PBB me çmime korrente në vitin 2023 u vlerësua në rreth 23 miliardë euro, nga rreth 21 miliardë në vitin 2022, pra rritje me afërsisht 2 miliardë euro.

Përsa i përket strukturës së PBB-së, sipas aktiviteteve ekonomike, peshën më të madhe në ekonomi për vitin 2023 vazhdojnë ta zënë Shërbimet gjithsej me 47.96%, duke shënuar një rritje në terma realë me 8.26%. Industria dhe Ndërtimi përbëjnë 23.03% të PBB-së. Lidhur me ndryshimet e aktiveteteve kryesore të ekonomisë konstatojmë se në terma realë, Industria ra me 2.37% dhe Ndërtimi u rrit me  8.48%. Nga ana tjetër,  Bujqësia, gjuetia, pyjet dhe peshkimi zënë 16.22% të PBB-së dhe paraqiten me një rënie prej  1.82% në terma realë.

Nga ana tjetër, sa i përket kontributit, shohim se “Tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor” patën ndikimin më të madh prej 1.65 pikë përqindje. “Administrata publike, arsimi dhe shëndetësia” ndikoi me 1,00 pikë përqindje, “Ndërtimi” me 0,98 pikë përqindje, “Aktivitete profesionale, administrative dhe mbështetëse” me 0,76 pikë përqindje, “Arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të tjera shërbimi” me 0,23 pikë përqindje, “Informacioni dhe komunikacioni” me 0,15 pikë përqindje.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Qeverisja digjitale, 3 në 4 persona në vend janë përdorues/ EUROSTAT: Kemi normën më të lartë në rajon për vitin 2023

Postimi mëparshëm

Shqipëria dhe Kosova të gatshme për të investuar në inovacion/ 40% e bizneseve në rajon e kanë të pamundur alokimin e fondeve në kërkim&zhvillim

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.