Emigracioni

Tkurret numri i azilantëve shqiptarë në BE/ 6.1% më pak në Janar. Pakësohen largimet apo preferojnë më shumë Britaninë?

0

Shifrat nga “Agjencia për Azil e Bashkimit Europian” (EUAA) tregojnë se numri i kërkesave për azil e ka nisur me rënie vitin 2023. Përgjatë janarit të këtij vitit numri i shqiptarëve azilantë që trokasin nëpër dyert e Europës rezulton në 909 të cilat ndahen në 712 kërkesa për herë të parë dhe në 197 kërkesa përsëritëse.

Krahasuar me janarin e viti të kaluar, pra vitit 2022, numri i aplikimeve për azil nga shqiptarët në vendet e Bashkimit Europian ka rënë me 6.1%, nga 968 kërkesa, në 909 kërkesa. Ndërkohë, krahasuar me vitin 2021, i cili regjistronte 474 kërkesa, ky tregues ka shënuar rritje 91.8%.

Sipas të dhënave nga “Agjencia për Azil e Bashkimit Europian” numri i kërkesave për azil nga shqiptarët ka qenë në rënie që pas muajit shtator të vitit 2022, i cili arriti kulmin në 1,415 aplikime. Kurba e këtij treguesi vjen në rënie pas muajit shtator duke e mbyllur vitin 2022 me rënie, por edhe fillimin e vitit 2023. Kështu, edhe krahasuar me muajin paraardhës, pra dhjetorin e vitit të kaluar, aplikimet kanë rënë, nga 995 që regjistroheshin.

Nëse Shqipërinë do ta krahasonim me vendet e rajonit shohim se edhe pse me rënie sërish për janarin vijojmë të kryesojmë listën me shifrën më të lartë. Pas Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut me 757 aplikime dhe Serbia me 601 aplikime. Kosova për janarin ka regjistruar 334 aplikime, ndërkohë që vendet me numrin më të ulët të aplikimeve janë Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi me 163 dhe 37 kërkesa.

Në janar të vitit 2023, kërkesat për azil në vendet e Bashkimit Europian u rritën me 57% më shumë krahasuar me janarin 2022. Sirianët, afganët, turqit, venezuelianët dhe kolumbianët kanë aplikuar më së shumti për azil në BE duke përbërë 44% aplikimeve gjithsej.

Duket se prej muajsh, numri i shqiptarëve azilantë në Bashkimin Europian vijon trajektoren rënëse. Por, kjo rënie mund të jetë edhe rrjedhojë e rrugëve të reja të kalimit, siç është rasti i Mbretërisë së Bashkuar. Gjatë 2022-shit në ishull kishte mbi 15 mijë kërkesa për azil nga shtetas shqiptarë, kundrejt mbi 12 mijë që ishin në BE. Duke qenë se tashmë Mbretëria e Bashkuar nuk është më pjesë e unionit, azilantët shqiptarë nuk figurojnë në shifrat e agjencive europiane.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Bizneset shqiptare “vuajnë” për të gjetur tokë/ “Banka Botërore”: 1 në 5 has probleme, Shqipëria renditet e parafundit në rajon

Postimi mëparshëm

Turizmi vijon “boom”-in edhe në Shkurt/ 51.5% më shumë hyrje, tejkalohet edhe viti 2020. Në rritje edhe daljet, me 40%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.