Në garën për Kryetar Bashkie ishin pjesëmarrëse 15 gra dhe vajza në total, mes 144 kandidatëve, dhe 8 prej tyre i`a kanë dalë të shpallen fituese. Të 8-ta gratë dhe vajzat fituese të kësaj gare janë nga Partie Socialiste, subjekt i cili kishte po kaq garuese të gjinisë femërore më 14 maj, çka tregon se 100% e tyre kanë fituar dhe se nga opozita nuk ka fituar asnjë prej 7 kandidaturave gra ose vajza. Por çfarë pushteti do të kenë realisht gratë dhe vajzat Kryetare Bashkie në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar të njësive të qeverisjes vendore?
Shifrat tregojnë se, në total, gratë dhe vajzat fituese do të kontrollojnë 13.3% të pushtetit ekonomik të bashkive, bazuar në “tortën” e të ardhurave të tyre. Peshën më të madhe e zë Bashkia Durrës, me fituese Emiriana Sakon. Durrësi përfaqëson 6% të totalit të të ardhurave të bashkive në rang vendi, dhe ndiqet nga Bashkia Lushnje, me 1.9% të totalit. Vijon më pas në renditje Kurbini, me 1.6% të totalit si dhe Bashkia Bulqizë, me 1.4% të totalit. Roskoveci, Ura Vajgurore, Klosi dhe Përmeti mbyllin renditjen, me secilën prej tyre që ka një peshë më pak se 1%.
Në analizën e kaluar, për peshën reale që ka fituar opozita (shiko këtu) vihej re fakti se “Bashkë Fitojmë” ka fituar vetëm 6% të totalit të bashkive. Nga ajo çfarë tregojnë shifrat, duket se gratë dhe vajzat fituese të garës së 14 majit do të kenë një pushtet më të madh ekonomik se e gjjithë opozita së bashku në drejtimin e bashkive për 4 vitet e ardhshme, duke fituar sfidën me nënpërfaqësimin gjinor mes partive opozitare. Në vlerë, gratë dhe vajzat do të menaxhojnë 13.5 miliardë lekë nga buixheti i bashkive, ose mbi 100 milionë euro, nga 55 milionë euro të të gjithë opozitës së bashku.
Po sa i përket territorit që do kenë nën kontroll 4 vitet në vijim gratë dhe vajzat Kryetare Bashkie? Shifrat tregojnë se në total, këto të fundit do të menaxhojnë rreth 10% të territorit të Republikës së Shqipërisë, bazuar në hapësirën e bashkive të tyre. Sipërfaqen më të madhe e përfaqëson Bashkia Bulqizë, me 2.3% dhe më të voglën ajo e Roskovecit me vetëm 0.4% mbi totalin e të gjithë vendit.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments