Ekonomi

Si u nda harta ekonomike elektorale? Opozita fitoi vetëm 6% të “pushtetit” ekonomik, ose 55 milionë euro, dhe 11% të territorit

0

Me garën për kryetarët e 61 bashkive të vendit të përfunduar thuajse tërësisht, panorama dhe kuadri i përgjithshëm është tashmë i plotë. Opozita ka fituar vetëm 7 bashki nga 61 në total, ose 13% të totalit të bashkive, nëse në këtë peshë nuk do të llogarisim fituesin e Bashkisë së Finiqit që përfaqëson një parti minoriteti. Por, sa ka fituar realisht opozita? Pra, sa pushtet real, ekonomik ka arritur të fitojë nga këto zgjedhje? Shifrat e analizuara dhe pwrpunuara nga “Scan Intel” flasin qartë dhe tregojnë se në total, koalicioni “Bashkë Fitojmë” i`a ka dalë të fitojë vetëm 6% të pushtetit ekonomik në tortën e buxhetit të bashkive. Në rast se do të shtonim edhe fitoren e `MEGA` në Finiq, ky “pushtet” ngjitet në 7%. Pra, Partia Socialiste rezulton të ketë fituar 93% të “tortës” ekonomike në këto zgjedhje vendore.

Mes këtyre 7 bashkive të fituara nga opozita rezulton se në vend të parë për nga pesha në tortën e të ardhurave të bashkive është Kavaja, që zë 1.6% të totalit, dhe ndiqet nga Memaliaj, me 1.5%, si dhe Himara me 1.2%. Ndjekin më pas në renditje Bashkia Has, me vetëm 0.6% të “pushtetit” ekonomik, si dhe Puka me 0.5%, dhe Fush-Arrëzi dhe Mirdita, me nga 0.3% secila.
Në vlerë ndërkohë, rezulton se “pushteti” ekonomik i opozitës në mandatin 4-vjeçar të njësive të qeverisjes vendore do të jetë vetëm 6.1 miliardë lekë, që përkthehet në rreth 55 milionë euro në total, nga rreth 900 milionë euro në total.

Po sa i përket “pushtetit territorial”, çfarë tregojnë shifrat? Në total, opozita e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në mandatin e ardhshëm 4 vjeçar të qeverisjes vendore do të ketë nën kontroll vetëm 11.6% të territorit të Republikës së Shqipërisë. Peshën më të madhe në territorin e opozitës e zë Bashkia Mirditë, me 2.9% të totalit dhe ndiqet nga Bashkia Himarë, me 1.9% të totalit. Ndjek më pas në renditje Bashkia Fushë-Arrëz, ajo e Pukës, Hasi dhe Memaliaj, si dhe në vend të fundit Bashkia Kavajë, me vetëm 0.7% të territorit të Republikës së Shqipërisë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa do na kushtonte votimi elektronik? Rreth 200 milionë euro, ose 6,112 lekë për një votë

Postimi mëparshëm

Mosha e fituesve të 14 Majit, 46.9 vjeç/ PS, forca me kryetarët më të rinj, “Bashkë Fitojmë”, mbi mesataren, 47 vjeç

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.