EmigracioniFinancë

Remitancat konfirmohen në nivele rekord/ 213 milionë euro dërgesa nga emigrantët në vetëm 3 muaj

0

Dërgesat e emigrantëve në vendin tonë vijojnë të regjistrojnë nivele rekord të larta. Kështu, për tremujorin e parë të vitit, sipas shifrave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, emigrantët kanë dërguar nëpërmjet kanalve zyrtare të dërgesave të parave rreth 213 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pra me tremujorin e parë të vitit 2022, shifra është në rritje me thuajse 16%, sinjalizojnë shifrat. Një vit më parë, në periudhën janar-mars, emigrantët dërgonin në vend rreth 184 milionë euro. Pra, bëhet fjalë për rreth 30 milionë euro më shumë.

Nëse krahasimin e bëjmë me të gjitha vitet e tjera, në terma sezonalë, pra krahasuar me tremujorët e parë që prej vitit 2008, kur mbarojnë edhe të dhënat historike, shohim se viti 2023 përbën një rekord historik. Në vitin 2008, kur edhe regjistrohej rekordi i mëparshëm, emigrantët sillnin në Atdhe në tre muajt e parë të vitit rreth 212 milionë euro. Kujtojmë se kriza financiare globale ridimensionoi shumë gjëra, përfshirë remitancat, pasi shumë vende pritëse të emigrantëve, dhe sidomos ato me përqëndrimin më të lartë të shqiptarëve, si Italia dhe Greqia pësuan goditje të mëdha ekonomike, duke ulur ndjeshëm nivelin e dërgesave. Këto të fundit pësuan një rritje të ndjeshme pas krizave të njëpasnjëshme që goditën vendin tonë, duke filluar nga tërmeti i vitit 2019, te pandemia e më pas kriza e çmimeve.

Krahasuar me mesataren historike të dërgesave të emigrantëve në 3 muajt e parë të vitit, viti 2023 regjistron një rritje prej 36.5%, sinjalizojnë shifrat zyrtare të analizuara dhe përpunuara nga `Scan Intel`.

Niveli rekord i remitancave është dhënë nga autoritet shqiptare si një prej shkaktarëve të zhvlerësimit të euros, së bashku me investimet e huaja direkte dhe shpenzimet e turistëve. Por, në një kohë që remitancat kanë ndikimin e tyre, paçka se modest në zhvlerësimin e euros, bazuar në atë që tregojnë dërgesat nëpërmjet kanaleve zyrtare, vlen edhe e kundërta, pra fakti që dërgesat mund të jenë rritur pikërisht për të zbutur zhvlerësimin e monedhës së përbashkët. Në mënyrë që familjet shqiptare mos të humbasin nga kursi i këmbimit, emigrantët duhet të dërgojnë më shumë euro. Nga një analizë e mëparshme e `Scan Intel`, rezulton se mesatarisht, emigrantët këtë vit duhet të dërgojnë rreth 50-60 milionë euro më shumë në mënyrë që familjet mos të humbasin.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rriten lehtë kreditë me probleme/ Pranë 5.18% në Prill, niveli më i lartë që prej Korrikut 2022

Postimi mëparshëm

Turizmi “thyen” çdo parashikim/ 624 milionë euro shpenzime nga turistët në Janar-Mars, 52% më shumë se rekordi i mëparshëm

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.