Turizëm

Turizmi “thyen” çdo parashikim/ 624 milionë euro shpenzime nga turistët në Janar-Mars, 52% më shumë se rekordi i mëparshëm

0

Turistët kanë shpenzuar në Shqipëri rreth 624 milionë euro në vetëm tre muajt e parë të këtij viti, duke konfirmuar kështu trendin mjaft pozitiv të sektorit, të nisur që prej vitit të kaluar. Shifrat e tremujorit të parë të vitit sinjalizojnë një rekord historik absolut. Rekordi i mëparshëm për këtë periudhë kohore regjistrohej një vit më parë, me “vetëm” 408 milionë euro, çka do të thotë se rekordi është tejkaluar me 216 milionë euro, ose me 53%.

Kujtojmë se gjatë vitit 2022 si të plotë, sipas Bankës së Shqipërisë, turistët shpenzuan në vend rreth 2.8 miliardë euro, duke regjistruar nivele rekord të larta. Ndërkohë, shifra e tremujorit të parë të vitit rezulton të jetë më e lartë edhe se tremujori i tretë i vitit 2017. Kjo do të thotë se periudha janar-mars e këtij viti, ka qenë më e frytshme për turizmin se i gjithë sezoni veror i vitit 2017 dhe të gjitha sezonet e tjera verore përpara këtij viti. Në korrik-shtator 2017 turistët shpenzonin vetëm 588 milionë euro.

Rritja e ndjeshme e shpenzimeve të turistëve në vendin tonë nuk është aspak vetëm rrjedhojë e rritjes së çmimeve, pasi të dhëna të tjera nga Instat, si për hyrjet e shtetasve, ashtu edhe për strukturat akomoduese sinjalizojnë një `boom` të konsiderueshëm të sektorit këtë vit, madje edhe përtej niveleve të vitit të kaluar, kur u “thye” edhe periudha para pandemisë. Madje, Shqipëria rezulton ndër të paktat vende që gjatë vitit të kaluar ka kaluar nivelet e para-pandemisë sa i përket fluksit të turistëve.

Por, nivele rekord shpenzimesh raportohen edhe nga shqiptarët jashtë, me 434 milionë euro në TI 2023. Gjithsesi, bilanci neto mes shpenzimeve të turistëve në Shqipëri dhe shqiptarëve jashtë fiksohet pranë rreth 190 milionë euro, që është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për tremujorin e parë të vitit.

Këto shifra konfirmojnë se paratë e shpenzuara nga turistët këtë vit janë padiskutim një arsye e qenësishme që mund të ketë ndikuar në zhvlerësimin e euros dhe që shton frikën për një rënie të mëtejshme të monedhës së përbashkët europiane kur sezoni turistik të arrijë kulmin, gjatë sezonit veror.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Remitancat konfirmohen në nivele rekord/ 213 milionë euro dërgesa nga emigrantët në vetëm 3 muaj

Postimi mëparshëm

Viti nis me rënie të pagave/ Bien me 2% në total dhe me 2.5% në shtet, mesatarja pranë 64,706 lekë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.