Tregti

Euro “rrëzon” eksportet shqiptare?! Bien me 28% në shtator. Rënie e ndjeshme për materialet e ndërtimit, lëndët djegëse

0

Shifrat më të fundit zyrtare mbi tregtinë e jashtme për shtatorin shpalosin një situatë të ngjashme me atë të muajve paraardhës. Në total, import/eksport janë rritur me 23.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, në vlerë, por nga ana tjetër kanë rënë me 8.1% në peshë. Rritja e ndjeshme e çmimeve ka fryrë kështu numrat sa i përket vlerës, paçka se importet dhe eksportet kanë qenë më të ulta në peshë.

Në vlerë ndërkohë, shifrat tregojnë se eksportet gjatë shtatorit arritën në 39 miliardë lekë, në rritje me 16.3% krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, dhe me 9.5% krahasuar me gushtin, ndërkohë që importet arritën në 88 miliardë lekë, në rritje me 27.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dhe me 10.5% krahasuar me muajin gusht. Defiçiti tregtar prej 49 miliardë lekësh rezulton 37.6% më i lartë se shtatori i vitit 2021.

Shifrat më në detaj ndërkohë, të analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel” tregojnë se eksportet gjatë shtatorit kanë rënë me plot 27.7% në volum, por janë rritur me 16.3% në vlerë. Nga ana tjetër, për herë të parë pas disa muajsh me radhë shohim se importet janë rritur edhe në peshë, edhe në vlerë, paçka se jo në mënyrë proporcionale. Kështu, importet në peshë gjatë shtatorit u rritën me 8.6%, ndërkohë që në vlerë janë rritur me rreth 27%.

Por, shifrat tregojnë edhe një rënie të ndjeshme të disa prej produkteve kryesore “Made in Albania” gjatë shtatorit. Eksportet e materialeve të ndërtimit kanë rënë me plot 22.9% në peshë, dhe me rreth 5.4% edhe në vlerë, krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar. Rënie të konsiderueshme regjistrojnë edhe grupmallrat e “lëkurës” si dhe ato të “mineraleve dhe lëndëve djegëse”. Këto të fundit kanë qenë “lokomotiva” e eksporteve shqiptare gjatë vitit të fundit, dhe në shtator kanë rënë me plot 37% në peshë, paçka se në vlerë është vënë re rritje.

Duket se luhatjet e ndjeshme në kursin e këmbimit, sidomos zhvlerësimi i euros në tregun vendas dhe mbiçmimi i Lekut, ka filluar të japë efektet e para në drejtim të tregtisë së jashtme, duke i bërë eksportet shqiptare më pak të konkurrueshme, duke qenë se vendet europiane mbeten partnerët tanë kryesorë tregtarë, duke zënë mbi 80% të eksporteve.

Edhe aktorë të tregut kanë bërë thirrje për ndërhyrje në këtë drejtim, sidomos drejtuar Bankës së Shqipërisë, si institucioni përgjegjës për politikat monetare dhe stabilitetin e monedhës vendase.

Në drejtim të importeve ndërkohë, shifrat sinjalizojnë se ka një rënie të konsiderueshme në volum sa i përket ushqimeve, pijeve dhe duhanit, me mbi 12%, paçka se në vlerë rritja rezulton mbi 20%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa na vlen puna, sipas profesioneve? Për 1 kg mish, në bujqësi dhe ndërtim duhen thuajse 5 orë punë, në financë më pak se 2 orë

Postimi mëparshëm

Pronat në bregdet po “përpihen”/ Këtë vit po shiten gati 2 herë më shpejt se mesatarja kombëtare

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.