Tregu i Punës

Sektori privat paguan rreth 15 mijë lekë më pak se shteti/ Paga mesatare bruto arriti në gati 75 mijë lekë në tremujorin e dytë

0

Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të dytë 2024, arriti në 75,114 lekë ose 5.9% më shumë krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar se në cilat aktivitete ekonomike ofrohet pagë më e lartë? Duket se situata ka mbetur e pandryshuar pasi, sipas të dhënave, rezulton se gjatë tremujorit të dytë 2024, aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe Informacioni dhe Komunikacioni. Ndërkohë, pagën më të ulët e ka sektori i buqësisë pyjeve dhe peshkimit.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, grupaktiviteti “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit” ka rritjen më të madhe prej 11.4%. Në të kundërt, rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti Administrata publike dhe mbrojtja, sigurimi social i detyrueshëm, arsimi shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale prej 3%.

Nga ana tjetër, nëse analizojmë pagën sipas grup-profesioneve ekonomike  rezulton se kategoria “Manaxherë, Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutiv” ka pagën më të lartë gjatë tremujorit të dytë të këtij viti. Paga për këtë grup-profesion arrin në 122,465 lekë. Më pas renditen specialistët me arsim të lartë të cilët paguhen mesatarisht  97,548 lekë në muaj dhe forcat e armatosura që kanë një pagë mesatare mujore prej  86,397 lekë. Ndërkohë, më të keqpaguar janë punonjësit e kualifikuar të bujqësisë pyjeve dhe peshkimit të cilët marrin një pagë mesatare mujore prej  47,684 lekësh në muaj.

Referuar analizës së pagave në sektorin privat dhe atë publik rezulton se  prevalon ky i fundit. Konkretisht, paga mesatare mujore bruto në shtet arrin në 85,901 lekë në muaj ndërsa në privat 70,430 lekë në muaj. Rikujtojmë se paga minimale e miratuar në vendin tonë është 40,000 lekë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar përllogaritjet tregojnë se pagat në shtet u rritën me 4.12% ndërsa në privat me 6.8%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rritje e lehtë e huave me probleme në korrik/ Banka e Shqipërisë: Arritën në 4.72%, por nuk cënohet cilësia e portofolit

Postimi mëparshëm

Fitimet e riinvestuara “shtyjnë” përpara investimet e huaja/ Në gjashtë muajt e parë të vitit arritën në 749.8 milionë euro

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.