Sociale

Pandemia na “hoqi” 1.7 vite jetë/ Jetëgjatësia mesatare, në Shqipëri, rënia, dy herë më e lartë se në Europë

0

“Scan Intelligence Unit” vijon me analizën mbi ndikimin e pandemisë në ndryshimin e treguesve demografikë, këtë herë dukë u ndalur te jetëgjatësia në lindje. Treguesi i jetëgjatësisë mat kohën që pritet të jetojë një person duke marrë parasysh normat e vdekshmërisë, në këtë rast për vitin 2020. Të dhënat tregojnë se jetëgjatësia në lindje ka ardhur duke u rritur që nga viti 2011-të deri në vitin 2019-të, për të pësuar një rënie kështu gjatë vitit 2020. Kjo është e ndikuar nga rritja e numrit të vdekjeve prej efektit të pandemisë Covid-19. Në vitin 2020, jetëgjatësia e pritur në lindje për popullsinë e përgjithshme u regjistrua në 77.3 vite, ndërkohë që gjatë viitt 2019-të ishte regjistruar në 79.0 vite. Rënia e jetëgjatësisë së pritur në lindje, nga viti 2019-të në vitin 2020, llogaritet në 1.7 vite. Shifrat tregojnë se, gjatë vitit 2020, jetëgjatësia e pritur në lindje për burrat është 75.2 vite, ndërsa për gratë është 79.6 vite. Kjo do të thotë se gratë priten të jetojnë rreth 4 vite më shumë se burrat. Po si paraqiten këta dy tregues krahasuar me vitin 2019-të? Për burrat, jetëgjatësia në lindje, në vitin 2019-të, ishte 77.6 vite, duke rënë kështu me rreth 2.4 vite gjatë 2020-ës. Nga ana tjetër, për gratë, ky tregues në vitin 2019-të ishte 80.6 vite, duke rënë kështu në 2020-ën me 1 vit.

Jetëgjatësia e pritur në lindje

Shifrat e jetëgjatësisë në lindje sipas gjinisë dhe qarkut, tregojnë se në vitin 2020, qarku me jetëgjatësinë më të lartë të pritur në lindje për burra ishte ai i Tiranës, me 77,1 vite, ndërsa qarku me treguesin më të ulët të jetëgjatësisë ishte ai i Gjirokastrës, me 72,6 vite. Në të njëjtin vit, qarku me jetëgjatësinë më të lartë të pritur në lindje për gratë ishte ai i Tiranës, me 82,5 vite, ndërsa qarku me treguesin më të ulët të jetëgjatësisë ishte ai i Korçës, me 76,9 vite.

Jetëgjatësia në lindje sipas qarqeve dhe gjinisë, 2020

“Scan Intelligence Unit”, bazuar në të dhënat e “Agjencisë Europiane të Statistikave”, ka analizuar gjithashtu ndryshimin e jetëgjatësisë nga viti 2019-të në vitin 2020,  në vendet e Europës, për të kuptuar ndikimin e pandemisë më gjerë. Sipas shifrave të paraqitura dhe në grafik është Litenshtejni vendi i cili ka pësuar rënien më të lartë të jetëgjatësisë në lindje, me 2.4 vite. Vendi i dytë me rënien më të lartë të jetëgjasisë në lindje është Shqipëria, ndjekur nga Spanja, me 1.6 vite. Nëse renditja do të përfshinte vetëm shtetet e Bashkimit Europian, do të ishte vendi ynë i pari në renditje me rënien më të lartë të jetëgjatësisë në lindje. Ndërkohë mesatarja e Bashkimit Europian për vitin 2020 regjistrohet në 80.8 vite. Krahasuar me vitin 2019-të, treguesi i jetëgjatësisë në lindje, ka rënë me 0.8 vite. Rrjedhimisht, mund të themi se norma e vdekshmërisë për vendin tonë dhe ndikimi i pandemisë kanë lënë shenja më të dukshme se në vendet e tjera. Edhe pse me ndryshime fare të vogla, janë tre vende në të cilat është rritur jetëgjatësia në lindje. Këto vende janë Norvegjia me 0.3 vite, dhe Finlanda e Danimarka, me 0,1 vit secili.

Kujtojmë se autoritetet shqiptare janë akuzuar vazhdimisht përgjatë pandemisë për mos raportim të saktë të shifrave të vdekjeve nga covid-19, ose për metodologji jo të saktë. Shifrat e fataliteteve tregojnë se pandemia ka shkaktuar ndjeshëm më shumë vdekje se shifrat zyrtare, ç`ka do të thotë se rënia e nivelit të jetëgjatësisë në vendin tonë mund të jetë më e lartë se 1.7 vite.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Fitimi i bankave, niveli më i lartë prej 2017-ës/ Shpenzimet u rritën me një hap më të shpejtë se të ardhurat

Postimi mëparshëm

A është forcuar vëllazëria Shqipëri-Kosovë? Po! E tregojnë shifrat e tregtisë, por në 14 vjet pavarësi, Shqipëria ka forcuar pozitat e “vëllait të madh”

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.