“Scan Intel” ka analizuar shifrat e tregtisë së jashtme për të kuptuar se nga i importojmë mjetet e transportit dhe se si kanë lëvizur ndër vite tendencat. Si mjete transporti klasifilohen veç automjeteve, edhe motomjetet, kamionët, autobusët, automjetet e mëdha, etj. Nga ajo që sinjalizojnë shirat, Gjermania është në vend të parë, me distancë të ndjeshme me vendet e tjera. Nga ky vend Shqipëria importon plot 36.5% të totalit të mjeteve të transportit, bazuar në shifrat e vitit 2022. Këto shifra janë në vlerë, dhe jo në njësi. Në vend të dytë ndjek Italia, me 14% të totalit, çka tregon se Gjermania dhe Italia përfaqësojnë gjysmën e tregut të automjteve dhe mjeteve të transportit në vendin tonë.
Pas Italisë, në vend të tretë ndjek Kina, me 5.6% të totalit. Ky treg importi në vendin tonë sa i përket mjeteve të transportit është i përqëndruar kryesisht te motomjetet por edhe te mjetet bujqësore, autobusët, automjetet e punës. Kina ka njohur një rritje të ndjeshme në peshë dhe në pozicionim, pasi përpara vitit 2022 ka përfaqësuar një peshë nën 3% në tregun e importit të këtyre produkteve në vendin tonë duke u pozicinuar ndër vite mes vendit të 6-të dhe të 10-të në renditje. Në vitet pararendëse këtë pozicion e kanë mbajtur kryesisht vende si Kanadaja, Britania e Madhe apo edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një tjetër shtet që bie ndjeshëm në sy është Korea e Jugut, e pozicionuar e 4-ta në vitin 2022, me 5.2% të peshës. Ashtu si Kina, edhe Korea e Jugut ka rritur ndjeshëm peshën në “tortën” e importeve në vendin tonë të mjeteve të transportit, pasi gjatë viteve të kaluara përfaqësonte një peshë nën 2.6%, e deri në 1.5% në vitin 2017, kur pozicionohej e 12-ta në renditje. Korea e Jugut duket se ka dyfishuar prezëncën në tregun shqiptar të mjeteve të transportit në harkun e shumë pak viteve.
Në vend të 4-tët renditen shtetet e Bashkuara të Amerikës, me 4.4% të totalit dhe ndiqen nga Kanadaja, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Franca. Dhjetë vendet e para të listës përfaqësojnë 83.4% të totalit. Ajo që bie tjetër në sy nga shifrat është fakti se Japonia ka përgjysmuar peshën e saj, duke dalë nga “Top 10”. Në vitin 2022 ka zbritur në vendin e 11-të ndërkohë që gjatë viteve të kaluara ka mbajtur përherë pozicione të larta, deri në vendin e 4-tët në vitet 2016-2017. Edhe dominimi italo-gjerman është tkurrur nga viti në vit, pasi ndërkohë që sot përfaqësojnë 50% të totalit të importit të mjeteve të transportit, në vitin 2016 përfaqësonin rreth 63%.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments