Ekonomi

“Ndërtimi” përshpejton rritjen ekonomike/ PBB ngjitet me 4.02% gjatë tremujorit të tretë, rritet edhe konsumi

0

Rritja ekonomike duket se ka përshpejtuar ritmin gjatë tremujorit të tretë të vitit sipas shifrave më të fundit nga “Instituti i Statistikave”. Produkti i Brendshëm Bruto në tremujorin e tretë të vitit 2022 vlerësohet me rritje prej 4,02%, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2021. Sipas shifrave të analizuara nga “Scan Intel” duket se kjo rritje është ndikuar kryesisht nga ndërtimi, aktivitetet e pasurive të paluajtshme dhe turizmi. Nëse do të shohim grafikun e kontributit të degëve të ekonomisë në normën e rritjes së PBB-së, kontribut pozitiv kanë dhënë degët “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim Ushqimor” me 1,94 pikë përqindje, “Ndërtimi” me 0,99 pikë përqindje, “Aktivitete të pasurive të paluajtshme” me 0,81 pikë përqindje, “Arte, argëtim dhe çlodhje dhe aktivitete të tjera shërbimi” me 0,65 pikë përqindje dhe “Informacioni dhe Komunikacioni” me 0,19 pikë përqindje. Po ashtu pozitivisht ndikuan grupet “Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit” me 0,18 pikë përqindje, “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” me 0,05 pikë përqindje, “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” me 0,03 pikë përqindje. Nga ana tjetër, kontribut negativ kanë dhënë grupet “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” me 0,38 pikë përqindje, “Industri, Energji dhe Uji” me 0,20 pikë përqindje. Taksat neto mbi produktet kontribuan po ashtu negativisht me 0,22 pikë përqindje.

Nëse në analizë marrim ndryshimin e degëve kryesore, shohim se për tremujorin e tretë rritjen më të lartë e kanë shënuar grupet “Argëtim”, “Pasuritë e Paluajtshme” dhe “Ndërtimi” me 37.5%, 13.84% dhe 10.66% respektivisht. Pra, këto tre grupe kanë pësuar rritje me numra dyshifrorë përgjatë tremujorit të tretë të vitit 2022. Nga ana tjetër, rritje të konsiderueshme kanë pësuar edhe grupe si “Tregtia”, “Aktivitetet financiare e të Sigurimit” dhe “Informacioni dhe Komunikacioni”. Me rënie paraqiten grupe si industria nxjerrëse, taksat neto dhe administrimi publik.

Sa i përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin paraardhës, treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto vlerësohet me një rritje prej 2,33%. Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit u shfaq me një rënie prej 0,06%. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit shënoi rënie prej 10,2%, ndërsa aktiviteti i “Ndërtimit” shënoi një rritje me 5,57%. Aktiviteti Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor shënoi një rritje prej 2,51%. Rritjen më të lartë, nëse do ta krahasonim me tremujorin paraardhës, e ka shënuar aktiviteti i arteve, argëtimit dhe çlodhjes me 15.25%.

Me rritje paraqiten të dhënat edhe sa i përket konsumit të popullatës. Sipas shifrave të “Institutit të Statistikave” konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 8,09%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rreth 12 milionë vizitorë në 11 muaj/ Sezoni turistik vazhdon edhe në nëntor, rriten hyrjet nga shtetas të huaj me 46.8%

Postimi mëparshëm

Investimet e huaja, konfirmohet vit rekord/ Pranë 1 mld eurove në 9 muaj. Turqia rikthehet në “skenë”. Pronat vijojnë të jenë në fokus

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.