Financë

Investimet e huaja, konfirmohet vit rekord/ Pranë 1 mld eurove në 9 muaj. Turqia rikthehet në “skenë”. Pronat vijojnë të jenë në fokus

0

Banka e Shqipërisë ka përditësuar shifrat e Investimeve të Huaja Direkte në vendin tonë për tremujorin e tretë të vitit. “Scan Intel” ka analizuar imtësisht të dhënat, nga ku rezulton se për këtë periudhë kohore, flukset e investimeve të huaja në vendin tonë kanë prekur një rekord historik, prej 344 milionë eurosh në tre muaj. Asnjëherë më parë nuk është regjistruar një shifër kaq e lartë në një tremujor, të paktën që prej vitit 2014, kur fillojnë edhe të dhënat historike. Për të 9-të muajt e këtij viti ndërkohë, në Shqipëri janë investuar në formën e IHD-ve rreth 984 milionë euro, që është një shifër e përafërt me totalin e të 12 muajve të vitit të kaluar, kur totali fiksohej në diçka më shumë se 1 miliardë euro. Edhe në dy tremujorët e parë të vitit janë regjistruar nivele të investimeve të huaja mbi 300 milionë euro, duke regjistruar kështu një rekord. Këto shifra kanë bërë që stoku i përgjithshëm i investimeve të huaja direkte në vendin tonë të ngjitet në 10.9 miliardë euro, nga rreth 10.3 miliardë euro që ishte në tremujorin paraardhës, duke regjistruar sërish një rekord.

Ndërkohë, nëse shohim shifrat e tremujorit të tretë të vitit të investimeve të huaja sipas shteteve, vëmë re se, ashtu si tremujorin pararendës, në vend të parë qëndrojnë ato “anonime”. Investimet e huaja nga vendet e klasifikuara si “të tjera për arsye konfidencialiteti” fikoshen në 83 milionë euro, dhe ndiqen nga Holanda me 76 milionë euro. Një rikthimin të rëndësishëm duket se ka bërë Turqia, e renditur në vendin e tretë, me 55 milionë euro investime në vendin tonë në tremujorin e tretë të vitit. Madje, Turqia ka regjistruar një rekord historik, pasi asnjëherë më parë nuk kishte sjellë kaq shumë investime në Shqipëri. Rekordi i mëparshëm regjistrohej në tre muajt e parë të vitit 2015, me 54.5 milionë euro. Pas Turqisë ndjek Italia me 22.7 milionë euro dhe Austria me 22.4 milionë euro.

Duke e kaluar analizën e investimeve të huaja sipas aktivitetit ekonomik, shohim se vijon tendenca e investimit të të huajve në pasuri të paluajtshme në vendin tonë. Gjatë periudhës korrik-shtator të këtij viti, të huajt kanë investuar rreth 77 milionë euro në prona në Shqipëri. Kjo ka bërë që stoku total i investimit të të huajve në pasuri të paluajtshme në vendin tonë të kapërcejë nivelin e 1 miliard eurove, duke u ngjitur pranë 1.03 miliardëve. Gjithsesi, në tremujorin e tretë, aktiviteti që ka marrë edhe shifrën më të lartë të investimeve të huaja në Shqipëri është “industria nxjerrëse”, me plot 88 milionë euro. Shohim gjithashtu se një rritje të ndjeshme regjistrojnë edhe “aktivitetet financiare dhe të sigurimit”, ndërkohë që me rënie është “industria përpunuese” dhe “energjia elektrike”, paçka se kjo e fundit vijon të qëndrojë në vend të parë në nivel stoku, me plot 2.9 miliardë euro investime aktive në vendin tonë nga jashtë.

Pra, shifrat tregojnë se ky vit, dhe sidomos tremujori i tretë i tij kanë regjistruar nivele rekord investimesh të huaja, dhe se tashmë kemi një rikonfigurim të sektorëve ku janë orientuar këto investime, me pasuritë e paluajtshme që janë gjithmonë e më shumë tërheqëse për të huajt. Nga ana tjetër, investimet me origjinë konfidenciale konfirmohen ndër më të rëndësishmet në vendin tonë këtë vit, duke ngritur mjaft pikëpyetje në lidhje me origjinën e tyre.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

“Ndërtimi” përshpejton rritjen ekonomike/ PBB ngjitet me 4.02% gjatë tremujorit të tretë, rritet edhe konsumi

Postimi mëparshëm

Transporti konfirmon rënien e tregtisë/ Në rënie transporti i mallrave për nëntorin, me rritje pasagjerët

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.