Ekonomi

Mbrojtja sociale, Shqipëria në fund të Europës/ Eurostat: Shpenzimet buxhetore në vend sa 12.8% të PBB-së, në BE pesha rreth 28.7%

0

Shtresa të tilla si të papunët, pensionistët apo edhe invalidët trajtohen financiarisht nga shteti shqiptar shumë herë më pak se në vendet e Bashkimit Europian. Sipas të dhënave të ‘Agjencisë Europiane të Statistikave’, për vitin 2021, shpenzimet për mbrojtjen sociale në vendet e Bashkimit Europian ishin sa 28.7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të BE-së. Ndërkohë, Shqipëria për të njëjtin vit i ka patur këto shpenzime vetëm 12.8% të PBB-së ose 703 euro për frymë në vit, sipas të dhënave zyrtare. Ky tregues e rendit Shqipërinë të parafundit me shpenzimet më të ulta mes vendeve të Europës.

Në vend të fundit, për vitin 2021, renditet Turqia me nivel shpenzimesh për mbrojtjen sociale sa 10.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Krahasuar me vendet e rajonit duket se jemi shumë larg sa i përket trajtimit financiar të shtresave të lartpërmendura. Serbia i regjistron shpenzimet për mbrojtjen sociale sa 19.1% të PBB-së, ndërkohë Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi sa 19.2% dhe 18.7% përkatësisht.

Shpenzimet më të larta të mbrojtjes sociale janë regjistruar në Francë, Austri dhe Italia në rreth 33.4% të PBB-së, 32.3% dhe 30.7% përkatësisht. Italia, Finlanda dhe Gjermania po ashtu gjenden mes vendeve të para me më shumë shpenzime.

Ndërkohë, sa i pëkret shpenzimeve për frymë, të dhënat tregojnë se mesatarja e Bashkimit Europian është 9,800 euro për frymë në vit. Shqipëria renditet në vend të fundit në Europë me 703 euro për frymë në vit, ndërkohë Luksemburgu, Zvicra dhe Norvegjia regjistrojnë nivelet më të larta.

Sipas të dhënave zyrtare mbi projektbuxhetin e vitit 2024, në sektorin e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, buxheti i akorduar do të jetë 98.72 miliardë lekë. Buxheti për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale në vitin e ardhshëm do të jetë sa 4.06% i PBB, ose sa 13.4% i shpenzimeve të buxhetit të shtetit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Në Shqipëri, 11.9% e pacientëve trajtohen për diabet/ Durrësi dhe Fieri me normën më të lartë, Dibra dhe Korça më pak të prekura

Postimi mëparshëm

Ku i bënë pushimet Shqiptarët? Analiza, nga destinacioni i preferuar deri tek vendi i origjinës së vizitorëve

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.