Turizëm

Ku i bënë pushimet Shqiptarët? Analiza, nga destinacioni i preferuar deri tek vendi i origjinës së vizitorëve

0

Turizmi ka përjetuar ditët e tij më të mira gjatë këtyre dy viteve. Të dhënat e fundit të publikuara nga INSTAT bëjnë më dije se në vitin 2022 janë kryer gjithsej 3.8 milion udhëtime nga individët banues në Shqipëri, udhëtime këto të kategorizuara si udhëtime për qëllime biznesi dhe personale, ku këto të fundit përbëjnë 97.4% të udhëtimeve gjithsej.

Në shifra ekzakte, numri i udhëtimeve të kryera nga udhëtarët, për qëllime personale dhe biznesi në Shqipëri dhe jashtë saj është 3.65 milion dhe 0.1 milion respektivisht.

“Scan Intel” ka analizuar të dhënat e INSTAT për të kuptuar preferencat e Shqiptarëve përsa i përket destinacioneve që ata kanë zgjedhur për pushime brenda vendit për vitin që lamë pas. Të dhënat tregojnë se në vitin 2022, destinacionet më të frekuentuara si për udhëtime për qëllime personale apo biznesi në Shqipëri janë: Tirana me 17.4%, Vlora me 15.2%, Korça me 14.0% dhe Durrësi me 11.2%. Pra, themi se rreth 80.7% e udhëtimeve kanë qenë brenda Shqipërisë.

Krahas udhëtimeve brenda vendit një pjesë e shqiptarëve kanë preferuar edhe pushimet jashtë territorit të Shqipërisë. Sipas të dhënave, përqindjet më larta të udhëtimeve janë regjistruar në shtetet si: Greqia me 5.2%, Italia 4.9%, Spanja dhe Anglia me 2.8%, Turqia me 2.2%, Gjermania me 1.6%, Mali i Zi me 1.6% dhe Kosova me 1.2%. Interesi për të udhëtuar si brenda dhe jashtë Shqipërisë paraqitet më i lartë tek grupmoshat 25-34 vjeç. Por si paraqitet në  përqindje shpërndarja e udhëtimeve sipas vendit të origjinës?

Referuar shifrave 35.7% e udhëtarëve të cilët kanë vizituar Shqipërinë janë nga Tirana. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të udhëtarëve është Elbasani me 10.9%, pasuar nga qarku i Durrësit me 8.3%. Në renditje vijon Fieri si vend origjine me 6.9% të udhëtarëve të cilët kanë vizituar Shqipërinë gjatë vitit 2022. Por cilët qarqe udhëtojnë më pak në Shqipëri? Të dhënat grafike thonë se Gjirokastra është qarku i cili ka përqindjen më të ulët të udhëtimeve. Vetëm 1.6% e gjirokastritëve kanë udhëtuar nëpër Shqipëri vitin e kaluar.

Nëse analizojmë udhëtimet jashtë Shqipërisë përsëri të dhënat tregojnë se tiranasit janë ato të cilët udhëtojnë më shumë. Rreth 40.5% e udhëtimeve jashtë vendit kanë si origjinë kryeqytetin. Qarku i Fierit është qarku i dytë më përqindjen më të lartë të udhëtarëve të cilët kanë dalë jashtë Shqipërisë. Janë 11.5% e  udhëtimeve jashtë vendit të cilat kanë si destinacion Fierin, pasuar nga Durrësi me 9.4% dhe Shkodra me 9%. Nëse do të flasim për anën tjetër të tabelës Gjirokastra nuk surprizon. Edhe për udhëtimet jashtë vendit ky qark regjistron përqindjen më të ulët me vetëm 0.6%. Qarku i Kukësit ndjek në renditje me përqindjen më të ulët me 0.8%.

Nga ana tjetër, nëse i analizojmë udhëtimet sipas gjinisë së udhëtarëve rezulton se përqindjet më të larta të udhëtimeve brenda Shqipërisë, janë kryer më shumë nga femrat ndërsa udhëtimet jashtë Shqipërisë janë kryer më shumë nga  meshkujt, ku në vlerë nominale ato paraqiten me 50.3% dhe 55.3% respektivisht.

Përsa i përket llojit të akomodimit në vitin 2022, rritja më e lartë shënohet për kategorinë “qëndrim tek të afërmit ose miqtë” me 5,2 pp, ndërkohë ulja më e lartë është regjistruar për kategorinë “Shtëpi pushimi, druri, kamping” me rreth 2,9 pp.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Mbrojtja sociale, Shqipëria në fund të Europës/ Eurostat: Shpenzimet buxhetore në vend sa 12.8% të PBB-së, në BE pesha rreth 28.7%

Postimi mëparshëm

Remitancat, si renditet Shqipëria? Indeksi: Pozicionohemi në vend të 69-të në botë dhe të tretët në rajon

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.