Çmimet

Inflacioni, niveli më i ulët që nga nisja e krizës/ Pranë 4.2% në Korrik, ngadalësohen edhe ushqimet, por argëtimi thyen rekord

0

Inflacioni në vendin tonë ka prekur gjatë Korrikut nivelin më të ulët që prej nisjes së krizës së çmimeve në fillim të vitit 2022. Kështu, shifrat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se norma e inflacionit gjatë muajit Korrik fiksohet pranë 4.2%, që është edhe niveli më i ulët që prej Shkurtit të vitit të kaluar. Kujtojmë se kriza e çmimeve nisi pikërisht në Shkurt të 2022-shit, për të kulmuar gjatë muajve pasardhës. Korriku është muaji i dytë me radhë me inflacionin në rënie në vendin tonë, ndërkohë që gjatë Qershorit norma fiksohej pranë 4.5%, sinjalizojnë shifrat zyrtare. Gjatë muajit Korrik të një viti më parë ndërkohë, çmimet rriteshin me 7.5%. Në terma mujorë, shifrat sinjalizojnë se krahasuar me Qershorin, çmimet e konsumit në vendin tonë janë ulur me 0.1%, pavarësisht faktit se Korriku përkon edhe me kulmin e sezonit turistik.

Pavarësisht rënies së inflacionit, çmimet janë në rritje me 4.2% krahasuar me Korrikun e një viti më parë dhe kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë çmimet e “Ushqimeve dhe pijeve joalkoolike” me 3.2 pikë përqindje. Ky grup ndiqet nga ai i “Mobiljeve, pajisjeve dhe mirëmbajtjes së shtëpisë” me 0.44 pikë përqindje. Grupet e tjera kanë të gjitha kontribut pozitiv modest, me përjashtim të “Transportit”, grup i cili ka ndikuar negativisht në rritjen e çmimeve, me -0.84 pikë përqindje, sinjalizojnë shifrat yzrtare nga Instituti i Statistikave.

Sa i përket grupit të “Ushqimeve dhe pijeve joalkoolike” shifrat flasin për një rritje prej 9% gjatë Korrikut në terma vjetorë. Pavarësisht se rritje vijon të mbetet e lartë, është më e ulta që prej Shkurtit të vitit 2022. Edhe grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse, energji” ka pësuar një ulje të ndjeshme të ritmit të rritjes së çmimeve, me një shtrenjtim prej vetëm 1.3% gjatë Korrikut, sipas Instat. Në këtë rast kemi të bëjmë me rritjen më të ulët që prej Tetorit të vitit 2021.

Ajo që bie në sy nga shifrat është grupi “Argëtim dhe kulturë”, pasi për të dytin muaj me radhë regjistron shifra mjaft të larta të rritjes së çmimeve. Në Korrik kjo rritje fiksohet pranë 9.5% ndërkohë që në Qershor ishte mbi 10%. Në të dyja rastet bëhet fjalë për rritjen më të lartë të çmimeve të regjistruar ndonjëherë për këtë grup. Ky shtrenjtim i paprecedentë i çmimeve për kategorinë e argëtimit dhe kulturës lidhet ngushtë me `boomin` e turizmit në vendin tonë. Ky grup mban gjithashtu rekordin mës të gjithë të tjerëve sa i përket rritjes më të lartë të çmimeve gjatë muajit Korrik të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Tirana, më e shtrenjta në rajon/ Mercer: Ka kosto më të larta jetese se Beogradi, Shkupi dhe Sarajeva

Postimi mëparshëm

Shqipëria, ndër destinacionet e preferuara/ Skift Research: Jemi ndër 10 vendet me rritjen më të lartë të turistëve në botë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.