Financë

Familjet shqiptare zotërojnë rreth 28 miliardë euro/ BSH: Pasuritë financiare, gati 8 herë më shumë se detyrimet në vitin 2023

0

Të dhënat e “Bankës së Shqipërisë” në publikimin mbi statistikat e llogarive financiare për vitin 2023 tregojnë se ekonomitë familjare zotërojnë rreth 34% të totalit të mjeteve financiare të brendshme. Pasuritë financiare të familjeve shqiptare në formën depozitave, monedhave, kapitalit apo edhe fondeve të investimit arritën në 2.78 trilionë lekë në vitin 2023, ose rreth 28 miliardë euro, duke u rritur kështu me 142 miliardë lekë në harkun kohor të një viti.

Instrumenti kryesor i përdorur nga ekonomitë familjare vijon të jetë “monedha dhe depozitat”, i cili përfaqëson 48.6% të mjeteve financiare të këtij sektori, në fund të 2023. Ndërkohë “kapitali dhe aksione në fonde investimi” përbëjnë rreth 42% të totalit të mjeteve financiare.
Nëse do të analizonim kontributin në zgjerimin e mjeteve financiarë, të dhënat e institucionit bëjnë me dije se kryesisht i atribuohet në masën me të madhe rritjes së investimeve në “kapital dhe aksione në fonde investimi” prej 92 miliardë lekësh, ndjekur nga zgjerimi i “monedha dhe depozitat” prej 33 miliardë lekësh.

Sipas “Bankës së Shqipërisë” mjetet financiare të ekonomive familjare tejkalojnë ndjeshëm detyrimet e këtij sektori. Shifrat tregojnë se detyrimet financiare të ekonomive familjare, në fund të vitit 2023, arritën vlerën e 330 miliardë lekëve, duke u zgjeruar kështu me rreth 29 miliardë lekë.

Detyrimet e ekonomive familjare përbëhen kryesisht nga kreditë hipotekare, të cilat zënë peshën më të madhe të totalit rreth 49%, ndjekur nga kreditë konsumatore me 21% dhe hua të tjera me 22%.

Nga një përllogaritje e thjeshtë shohim se pasuritë financiare të familjeve shqiptare janë rreth 8 herë më të larta se borxhet e tyre, referuar vitit 2023.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Bonot 12-mujore i afrohen normës bazë të interesit/ Yield-i mesatar, në 3.02%. Më i ulëti që nga korriku i vitit 2022

Postimi mëparshëm

Euro vijon të “nënshtrojë” tregtinë e jashtme/ Rreth 8.5% më pak eksporte në Shtator. Italia dhe Kosova “larg” produkteve tona

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.