Financë

Bien normat e interesit të kredive/ Edhe për individët, edhe për biznesin, në lekë dhe në euro

0

Të dhënat e fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë për një rënie të normave mesatare të interesit për kredi të reja për të gjitha afatet e maturimit, duke përfshirë si biznesin ashtu edhe individët.

Për muajin dhjetor norma mesatare e interesit për të gjitha afatet e maturimit, u ul në 6.93%, ndërkohë që në muajin nëntor kjo normë prekte vlerat 7.59%. Duke përjashtur normën mesatare të interesit me afat maturimi deri në 6 muaj dhe ato me afat maturimi 1-3 vjet, vihet re një rënie e normave mesatare të interesit për të gjitha afatet e maturimit, si për individët ashtu edhe për biznesin.

Njësoj si norma mesatare në lekë që ka pësuar rënie, edhe valuta në euro llogaritet në rënie për muajin dhjetor. Sipas shifrave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit për kreditë e reja në euro arriti në vlerat e 4.77%, duke pësuar një rënie me 0.21 pikë përqindje. Rënie të konsiderueshme të normave të interesit shihen në ato me afat maturim 6 muaj-1 vit dhe 1-3 vjet, përkatësisht me 0.26 pikë përqindje për ato me afat maturimi 6 muaj deri në 1 vit, 1.35 pikë përqindje për ato me afat maturimi 1-3 vjet.

Nëse ndalemi tek norma mesatare e interesit të huave të reja mujore të korporatave jofinanciare private vihet re që ka pësuar një rënie në 6.79% nga 7.27% që fiksohej në nëntor. E njëjta gjë ka ndodhur edhe për normën mesatare të interesit në valutën euro, ku në dhjetor kjo normë u ul në 5.25%, nga 5.39% që ishte një muaj më parë.

E njëjta situatë vlerësohet edhe për normën e interesit të huave të reja në lekë dhe euro për individët. Për muajin dhjetor norma e interesit në lekë fiksohet në 7.25%, krahasuar me një muaj më parë ka pësuar rënie me 0.61 pikë përqindje. Ndërsa norma e interesit të huave të reja në euro u ul në 3.2%, ku në muajin nëntor kjo normë prekte vlerat 3.56%.

Këto të dhëna duken një sinjal i mirë për kreditimin, që mbetet një ndër shtyllat kryesore të mbështetjes për ekonomitë, si familjare ashtu edhe të biznesit, dhe vijnë pas muajsh me radhë në rritje, rrjedhojë e politikave shtrënguese monetare të Bankës së Shqipërisë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kredia në rritje për të gjitha rrethet/ Kryeson Tirana me 14%. Elbasani për kredinë për shtëpi, me 16.2%. Shkodra në tkurrje për atë konsumatore

Postimi mëparshëm

Shpenzimet, Shqipëri vs Europë/ Për ushqim shpenzojmë 41% të të ardhurave, 3 herë më shumë se europianët

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.