Ekonomi

Shpenzimet e familjeve u rritën me 3.7%/ Rreth 40% e tyre shkon për ushqime, pesha e grupeve kryesore pati ndryshime minimale

0

Një familje shqiptare e përbërë mesatarisht nga 3.7 persona, ka shpenzuar gjatë vitit 2023 mesatarisht 91,675 lekë në muaj, ndërkohë që një vit më parë, pra në vitin 2022 shpenzimet për një familje shqiptare ishin në vlerën e rreth 88 mijë lekëve në muaj. Pra, rezulton së këtë vit shpenzimet mesatare mujore janë 3.7% më të larta. Sipas INSTAT, shpenzimet gjithsej për konsum janë rreth 68.4 miliardë lekë në muaj.
“Scan Intel” ka përpunuar të dhënat nga Anketa e Buxhetit të Familjes për vitin 2023 për të analizuar kështu edhe shpërndarjen e këtyre shpenzimeve, ku rezulton se peshën më të madhe e zënë shpenzimet që i përkasin grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 36,349 lekë në muaj, të cilat përbëjnë përkatësisht 39.6% të buxhetin familjar. Krahasauar me një vit më parë pesha për këtë zë ka rënë me 0.1 pikë përqindje, por shpenzimet në vlerë janë rritur. Nëngrupet që zënë peshën më të madhe në shpenzimet për ushqim janë: “mish dhe nënprodukte” me 18.5%, “bukë dhe drithëra” me 16.5% ndjekur nga “perime” me 16%.

Ndërkohë grupi i shpenzimeve për banesën, që përfshijnë shpenzimet për ujë, energji dhe qira arrijnë vlerën 8,904 lekë në muaj, ndërkohë që një vit më parë familjet shqiptare shpenzonin 8,640 lekë në muaj, duke konstatuar kështu një rritje me 264 lekë në muaj për vitin 2023. Pesha që ka ky grup në shpenzimet e familjeve llogaritet në 9.7%.

Përsa i përket zërit të shpenzimeve “Restorante dhe hotele”, i cili zë 7.4% të buxhetit gjithsej arrin një vlerë mesatare mujore prej 6,755 lekë në muaj.

Ashtu si në vitin paraardhës, në vitin 2023 peshën më të ulët të shpenzimeve e zënë zërat si “Argëtimi e Kultura” dhe “Arsimi” respektivisht me 2.6% dhe 3.5%. Nga analiza e të dhënave shohim se shpenzimet për pije alkolike dhe duhan zënë një peshë më të madhe se argëtimi e kultura, me 4.2%. Nëse i referohemi vetëm peshës që zënë grupet në totalin e shpenzimeve të familjeve, shohim se kanë ndryshuar shumë pak nga viti i kaluar.

Gjithashtu “Scan Intel” ka analizuar shpërndarjen e këtyre shpenzimeve edhe sipas qarqeve, ku në vitin 2023, qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum. Një familje shqiptare në qarkun e Tiranës shpenzon për konsum mesatarisht 108,098 lekë në muaj, ndjekur nga Korça me 91,034 lekë dhe Durrësi me 89,561 lekë në muaj. Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë qarku i Dibrës me 74,479 dhe i Kukësit me 73,225 lekë në muaj. Referuar të dhënave rritjen më të lartë të shpenzimeve e ka shënaur qarku i Korçës me 6.6%, pasuar nga qarku i Elbasanit me 5.5% dhe ai i Vlorës me 5.4%. Ndërkohë, shpenzimet mesatare mujore në qarkun e Tiranës u rritën me 3.5%. Qarqet që kanë regjistruar rritjen më të ulët të shpenzimeve janë Berati dhe Kukësi me nga 0.2% secili. Duket se kanë ndryshuar pozicionet e qarqeve sa i përket ndryshimit vjetor të shpenzimeve, pasi gjatë vitit të kaluar Berati regjistroi rrtijen më të lartë, ndërsa Korça kishte rritjen më të ulët.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa e vizituan shqiptarët Ballkanin Perëndimor gjatë një viti?/ Rreth 57% udhëtuan vetëm një herë. Kosova e Mali i Zi kryesojnë për udhëtimet e shpeshta

Postimi mëparshëm

Inflacioni dhe papunësia, shqetësimet kryesore të shqiptarëve/ Rritja e çmimeve përbën problemin më të madh për qytetarët e rajonit

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.