Ekonomi

Çfarë ndodhi me prodhimet blegtorale në 5 vite?/ Rënie e qumështit dhe mishit, mjalti me rritje

0

Të dhënat e 5 viteve të fundit që lidhen me prodhimet blegtorale në vend  tregojnë një trend të qartë të rënies së prodhimit në disa  produkte tradicionale si qumështi dhe mishi, ndërsa prodhimi i produkteve të tjera si veza, leshi dhe mjalti ka qenë në rritje.  Këto ndryshime janë të lidhura ngushtë me faktorët ekonomikë dhe ndryshimet në kërkesën e tregut.

“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar trendet dhe luhatjet në sektorin e blegtorisë. Konkretisht, në vitin 2023, prodhimi i qumështit ka rënë me 7.17%. duke arritur në 900,568.8 ton, nga 970,167.8 ton që ishte në vitin 2022. Nëse analizojmë prodhimin e këtij produkti sipas kategorisë vëmë re se qumështi i lopës, që përbën pjesën më të madhe të prodhimit të qumështit, ka pësuar një rënie 7.22%,  ndërsa qumështi i deles dhe dhisë kanë pësuar rënie me 6.58% dhe 7.17% respektivisht.

Nga ana tjetër prodhimi i mishit gjatë vitit 2023 ishte 3.1% më pak se  një vit më parë.  Ndër kategoritë e mishit vëmë re se mishi i derrit ka pësuar një rënie drastike me 18.9% ndërsa për kategoritë e tjera rënia varion nga 1.3% në 7.1%.

Ndërsa produktet si  veza dhe mjalti kanë ndjekur një drejtim të kundërt krahasimisht me qumështin dhe mishin. Në vitin 2023 rezulton se janë prodhuar 15.2% më shumë vezë dhe 4.5% më shumë mjaltë krahasimisht me vitin 2022.

Por çfarë ndodhi me produktet blegtorale  gjatë 5 viteve?  Shifrat tregojnë se prodhimi total i  qumështit  ka pësuar një rënie prej 19.1%.Por  edhe produkti i mishit ka pasur një trend të ngjashëm. Në  harkun kohor të 5 viteve prodhimi i përgjithshëm i mishit ka rënë me 13.6%. Të kategorizuara sipas llojit themi se mishi i gjedhit dhe i derrit kanë përjetuar rënie të mëdha, ndërsa mishi i shpendit ka mbetur relativisht më i qëndrueshëm. Kjo shpjegohet edhe nga analiza e bërë më herët nga “Scan Intel” mbi numrin e krerëve i cili rezulton me rënie si dhe importi i  mishit dhe nënproduktevë të tij i cili ka ndjekur trend rritës.

Në të kundërt, mjalti ka shënuar një rritje prej 36.9% duke reflektuar rritjen e interesit për këtë produkt dhe potencialin e tij për eksport. Ndërsa prodhimi  i vezëve është rritur me 3.4%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Nuk ka dalje në pension?! Shqipëria, mes vendeve me normën më të lartë të punësimit për moshën mbi 65 vjeç

Postimi mëparshëm

Sistemi arsimor në “rënie të lirë”/ Rreth 28 mijë nxënës u ulën për herë të parë në bankat e shkollës

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.