Ekonomi

Si ndryshuan bizneset e hotelerisë ndër vite? Numri i vizitorëve të huaj rriti paralelisht edhe ndërmarrjet

0

Sektori i turizmit ka përjetuar zhvillime të rëndësishme në këto tre vitet e fundit, nxitur kryesisht prej rritjes së numrit të vizitorëve të huaj. Paralelisht kanë ndodhur ndryshime në një sërë treguesish, ku ndër këto mund të përmendim edhe rritjen e numrit të bizneseve në këtë sektor. Sipas të dhënave të INSTAT, deri në vitin 2023 regjistroheshin rreth 17,900 ndërmarrje të akomodimit dhe shërbimit ushqimor, nga afro 17,400 që ishin në vitin 2022, duke u rritur me gati 3%. Nëse do të flisnim vetëm për numrin ndërmarrjeve të reja të hapura në vitin 2023, sa i përket këtij aktiviteti ekonomik, numri rezulton në 1,771, nga 1,960 që u regjistruan të reja në vitin 2022.

Sipas “Bifidex”, regjistri rajonal i biznesit, Shqipëria kryeson rajonin me numrin më të lartë të ndërmarrjeve në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor dhe tendencat janë në rritje edhe për vitin 2024.

Por si paraqitet numri i këtyre ndërmarrjeve ndër vite? Në 14 vite të marra në analizë rezulton se numri më i lartë është shënuar në vitin 2015-të, me rreth 23 mijë ndërmarrje në fushën e akomodimit dhe shërbimit. Po ashtu, ky vit mban rekord edhe sa i përket ndërrmarrjeve të reja të regjistruara. Rikujtojmë se në vitin 2015-të, aksioni i antiinformalitetit që ndërmori qeveria vuri në lëvizje kryesisht bizneset e vogla të cilat u regjsitruan. Pas vitit 2015-të vihet re një rënie graduale e numrit të bizneseve për t’u ringritur pas pandemisë, të nxitura edhe nga hovi i turizmit.

Qarki i Tiranës, i Vlorës dhe i Durrësit regjistrojnë numrin më të lartë të ndërrmarrjeve të akomodimit dhe shërbimit ushqimor. Janë këto pra qarqet që numërojnë edhe një numër më të lartë të vizitorëve, por edhe përqëndrim më të lartë të popullsisë. Nga ana tjetër, Kukësi dhe Dibra kanë numrin më të vogël.

Edhe nëse flasim për ndërmarrjet e reja të hapura përgjatë vitit 2023 në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, sërish mund të veçojmë Tiranën më 737 ndërmarrje, Vlorën me 327 dhe Durrësin me 159 të tilla.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Turizmi i kampingjeve, çmimet më të lira në Europë/ Ndikuan në rritjen e numrit të netë qëndrimeve në vend

Postimi mëparshëm

Eksportet thellojnë rënien në Korrik/ Lëndët djegëse “bëhen bashkë” me tekstilet, patën ndikimin më të madh

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.