Rreth 77% e bizneseve që operojnë në Ballkanin Perëndimor kanë vlerësuar se kostot e biznesit si qeraja, energjia dhe forca punëtore janë rritur në 12 muajt e fundit. Sipas anketës së Barometrit të Ballkanit 2024, që u zhvillua nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, 77% e sipërmarrjeve shqiptare pohuan se gjatë periudhës prill 2023- prill 2024 kostot për biznesin janë rritur. Ndërkohë 20% e tyre janë shprehur se kostot kanë mbetur të pandryshuara dhe vetëm 2% mendojnë se janë ulur. Në nivel rajonal, Bosnje Hercegovina është ndër vendet që ka numrin më të lartë të të anketuarve që shprehen se kostot janë rritur. Ndërsa, në Kosovë 68% e bizneseve të marra në studim raportojnë rritje gjithashtu.
Nga ana tjetër, të pyetur për nivelin e kostove, 80% e bizneseve që operojnë në Serbi dhe 79% e atyre që ushtrojnë veprimtarinë e tyre ekonomike në Mal të Zi shprehen për rritje të kostove. Në të kundërt, gjysma e bizneseve në Kosovë mendojnë se kostot mbeten në nivele të qëndrueshme të pandryshuara nga një vit më parë.
Në përgjithësi, shifrat tregojnë se kostot e biznesit në shqipëri dhe rajon vijojnë të jenë të larta dhe vetëm një përqindje shumë e vogël e biznesve raportojnë për ulje të kostove gjatë vitit të fundit. Mesatarisht vetëm 2% e bizneseve pajtohen me faktin që kostot janë zvogëluar.
Edhe nëse analizojmë të dhënat e Barometrit të Ballkanit për vitin 2023, evidentohet qartë një trend i vazhdueshëm i rritjes së kostove në të gjithë rajonin, përfshirë edhe Shqipërinë. Rritja e kostove të biznesit është shpesh pasojë e inflacionit, ku sipas analizave të bëra më herët ky tregues makroekonomik ka qenë në nivele të larta. E ndërsa çmimet rriten edhe kërkesat për paga nga ana e punonjësve janë të pashmangshme. Rikujtojmë që vendi ynë ka përjtuar rritje të pagave në disa sektorë së fundmi. Po ashtu kriza energjitike dhe rritja e çmimit të Energjisë në Europë dhe Ballkan është një tjetër faktor që ka kontribuar në rritjen totale të kostove të biznesit.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments