EmigracioniSociale

12 mijë azilantë shqiptarë në 11 muaj/ Në vitin 2022, rreth 18% më shumë kërkesa për azil

0

Nëntori ka ulur numrin e aplikimeve për azil tregojnë të dhënat nga “Agjencia për Azil e Bashkimit Europian” (EUAA), por pavarësisht kësaj numri i tyre përgjatë njëmbëdhjetë muajve të vitit 2022 ka arritur në 12 mijë, duke pësuar një rritje me 17.5%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë. Gjatë periudhës Janar-Nëntor të vitit të kaluar numri i kërkesave për azil nga shqiptarët regjistrohej në 10,249. Përgjatë nëntorit të këtij viti numri i aplikimeve për azil është 1,136, të cilat ndahen në 935 aplikime për herë të parë dhe në 201 aplikime përsëritëse. Ky tregues është më i lartë se përgjatë nëntorit të vitit 2021, i cili regjistronte 1,131 kërkesa, pra me 5 kërkesa më shumë. Megjithatë, aplikimet gjatë nëntorit paraqiten më të ulta nëse shifrën e krahasojmë me tetorin e vitit 2022, i cili regjistronte në total 1,301 kërkesa.

Gjatë njëmbëdhjetë muajve të vitit 2022 numri më i lartë i kërkesave është regjistruar gjatë shtatorit dhe tetorit, ndërkohë që nëntori shënon një rënie të lehtë. Ndërkohë, përgjatë kësaj periudhe numri më i ulët i aplikimeve për azil nga shqipatrët regjistrohet gjatë muajit shkurt me 913 kërkesa.

Nëse Shqipërinë do ta krahasonim me vendet e rajonit shohim se edhe për muajin nëntor shqiptarët nuk bëjnë `lëshime` sa i përket vendit të parë, duke kryesuar me numrin më të lartë. Pas Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut me 812 aplikime dhe Serbia me 477 aplikime për azil. Kosova për nëntorin ka regjistruar 297 kërkesa duke pësuar rënie krahasuar me muajin tetor, ndërkohë që të gjitha vendet e rajonit paraqiten me rënie përveç Serbisë. Ashtu si muajin e kaluar, vendet me numrin më të ulët të aplikimeve janë Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi me 45 dhe 27 kërkesa respektivisht.

Të dhënat tregojnë se gjatë nëntorit është arritur pothuaj numër rekord i aplikimeve nga vendet me viza të liberalizuara. Qytetarët e vendeve të ndryshme, kryesisht në Evropë dhe Amerikën Latine, nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në BE. Qytetarë të tillë që përfitonin nga regjimi pa viza i BE-së së bashku përbënin 19,900 aplikime në nëntor, më shumë se çdo herë. Në të kundërt, më pak aplikime u morën nga qytetarët e vendeve europiane të përjashtuara nga viza në nëntor, duke përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë si dhe Bosnje Hercegovinën.

Vendet e Bashkimit Europian morën rreth 107,300 kërkesa për azil në nëntor 2022, një nivel i ri që nga viti 2016 dhe muaji i tretë radhazi me rreth 100,000 aplikime.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

2022 konfirmohet vit rekord për turizmin/ Rreth 30% më shumë të huaj. Tejkalohet edhe viti 2019-të

Postimi mëparshëm

Transporti “vulos” rënien e tregtisë në 2022-shin/ Rritja e çmimeve ka nxitur një tkurrje prej rreth 20%. “Shpëton” vetëm transporti ajror, “falë” turizmit

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.